Shkruan: Shefik Surdulli
Nuk është problemi te takimi si i tillë i kryeministrit Kurti me presidentin serb Vuqiç, sepse në politikë kjo është normale, madje e domosdoshme në rrethanat aktuale të ulesh në tavolinë për bisedime (edhe në darkë pse jo) me përfaqësuesit më të lart të shtetit që ka bërë krime e gjenocid mbi popullin tënd, siç është Vuqiç në rastin tonë.
Pra, takimi i Kryeministrit Kurti me Vuqiçin sot do të dukej krejt normale sikur z. Kurti mos të kishte atë reaksion negativ, për më keq duke ngritur teori konspirative për tradhti, shitje e thika për të njëjtin veprim, për takimet e ngjashme të kolegëve të tij paraprak (Thaçi, Haradinaj, Mustafa, etj) me presidentin serb Vuqiç.
Takimi do të dukej poashtu krejt normal, nëse kryeministri Kurti nuk do t’u kishte premtuar nënave shqiptare që kishin humbur fëmijët dhe familjet e tyre në luftë, që nuk do të ulej në tavolinë me Vuqiçin pa i gjetur të zhdukurit; pa kërkuar falje Serbia e Vuqiçit për krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë, si dhe shumë premtime e rrahagjokse tjera publike në këtë relacion, karshi Serbisë.
Kjo pra ka nxitur reagime në këto përmasa për takimin e kryeministrit Kurti me presidentin serb Vuqiç.
Përndryshe, Kosova nuk ka arsye t’i ikë asnjë dialogu me Serbinë, pavarësisht rrethanave, por veçse me një lidership serioz e të përgjegjshëm të shtetin tonë.
Luftën politike në tavolinë e ka sjellë populli liridashës me luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, drejtuesit e së cilës sot janë në “Hagë” pikërisht për këtë luftë! /2LONLINE/