Dy lojtarët e Kosovës, Anel Rashkaj dhe Vedat Muriqi, janë shprehur optimistë për ndeshjet e ardhshme në kualifikimet për “Euro 2020” ndaj Malit të Zi e Bullgarisë.
Të dy kanë thënë se më 7 dhe 10 qershor, Kosova do të udhëtojë drejt Malit të Zi e Bullgarisë për të marrë fitore.
“Nëse marrim parasysh ndeshjet e kaluara, duhet të jemi optimistë sepse ishin ndeshje mjaft të mira. Kundër Bullgarisë ishte ndeshje shumë e mirë, edhe pse munguan tri pikë. Nëse marrim parasysh ato paraqitje, duhet të jemi optimistë”, ka thënë mesfushori Rashkaj në një konferencë për media të hënën.
Ai ka thënë se është i lumtur që është kthyer te kombëtarja, duke shtuar se tash kualiteti është më i lartë se në kohën kur luante ai si kapiten. “Është një grup shumë i mirë. Jo veç si futbollistë, por kanë karakter në nivel të lartë”, ka thënë më tej Rashkaj.
Sulmuesi Muriqi ka thënë se lojtarët e Kosovës janë në formë dhe shpreson që të dalin me pikët e plota nga dy takimet.
“Kemi bë paraqitje shumë të mirë ndaj Bullgarisë, e siç mendojnë shumica na mjafton një pikë në dy ndeshjet, unë mendoj se jo. Ne po shkojmë në Mal të Zi për pikët e plota, por edhe në Bullgari. Kemi grup të mirë e jashtëzakonisht në formë. Shpresoj e besoj se do të marrim pikët e plota”, ka thënë ai.