Pas deklarimeve të menaxherit të Kompanisë “Ecohigjiena”, Xhelal Jetishi, përgjegjës për pjesën publike, bërë në konferencën me gazetarë, e ku sipas tij çështja e kësaj kompanie tani ka kaluar nën autoritetin e Kuvendit dhe kryetarit, për shkëputjen përfundimtare të marrëveshjes, vije reagimi nga pjesa private, përkatësisht nga Drejtori Ekzekutiv, Senad Ramaj.
Shih shkrimin: Jetishi: “Ecohigjiena” ka kaluar nën autoritetin e Kuvendit dhe kryetarit për shkëputjen përfundimtare të marrëveshjes
Reagimin e tij Ramaj e nis me atë se që nga korriku 2016 deri në janar 2017, përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit kanë nxitur dhe shkaktuar trazira dhe dhunë në kompaninë Eco-Higjiena, kurse të dëmtuar në këtë rast ishin punonjësit e saj e mbi të gjitha më së shumti qytetarët. Por, që atëherë, grumbullimi i mbeturinave kryhet përsëri rregullisht edhe pse ka shumë pak hedhurinarë, sepse mungon miratimi përkatës komunal për vend-hapësirat për hedhurinarë (kontainer).
“Kanë kaluar më shumë se 3 vjet, që kur u hap tenderi për mirëmbajtje të rrugëve dhe hapësirave të gjelbëruara dhe nuk ekziston ndonjë vendim për tenderin në fjalë por, vetëm kontratat afatshkurtra për mirëmbajtjen e qendrës së qytetit. Edhe pse komuna i kursen rreth 200,000 € çdo vit, për projekte e saj prestigjioze, por kur është fjala për mirëmbajtje të rrugëve dhe sipërfaqeve publike si dhe mirëmbajtjen higjienike të parqeve dhe lagjeve të banueshme, për këto nuk ka para”, thotë Ramaj.
Sipas tij, me që tani bëhet fjalë dhe përpjekje për votat e të deleguarve në zgjedhjet e brendshme partiake, Eco-Higjiena po përdorët si lodër e politikës. Krijohet përshtypja, se interesat personale janë më të rëndësishme se mirëqenia e qytetarëve dhe pastërtia e qytetit.
“Veçanërisht tash gjatë periudhës verore në Gjilan , ku na vizitojnë shumë bashkatdhetarë me familjet e tyre, komuna do të duhej të mbështeste Kompaninë Eco-Higjiena dhe jo vazhdimisht të përpiqet për të na diskredituar dhe shantazhuar siq po bënë”, thotë Drejtori Ekzekutiv, Senad Ramaj.
Ramaj thotë se Xhelal Jetishi ishte Kryetar i Komisionit të Aksionarëve të Partnerit Publik nga qershori 2014 deri më 28 Mars 2019. Për vitin financiar 2016 dhe 2017, Komisioni i Aksionerëve i Partnerit Publikë, në krye të së cilit dhe nën udhëheqjen e tij, bojkotuan organin më të lartë të ndërmarrjes – Kuvendin e Aksionarëve të Kompanisë Eco-Higjiena – dhe nuk u interesua kurrë për fakte. Anëtarët e rinj të Komisionit tashmë të emëruar, janë shumë më të përkushtuar dhe profesional.
Ramaj thotë tutje se zgjedhja e z. Jetishi si menaxher i Kompanisë Eco-Higjiena nga kryetari i Gjilanit, nuk ka bazë ligjore dhe është e paligjshme! “Kjo i është bërë me dije z. Xhelal Jetishi dhe të tjerëve, bashkë me atë “zyrtarin e lartë” që ishte me të atë ditë. Natyrisht që ne nuk jemi të interesuar dhe as që duam që ai të shkaktoj trazira dhe kaos në kompani si në vitin 2016 thotë”, Senad Ramaj
Sipas tij, partneriteti u arrit dhe u miratua në vitin 2011 me shumicë të madhe nga Kuvendi Komunal i Komunës së Gjilanit. Natyrisht, nëse Kuvendi vendos për shkëputjen e partneritetit dhe autoritetet e PPP-ës në Prishtinë e miratojnë atë, ne do ta respektojmë një gjë të tillë. Kompensimi për marrjen e aksioneve private duhet të zgjidhet në mënyrë miqësore ose nëpërmjet një gjykate të arbitrazhit.
“Përderisa partneriteti nuk shpërbëhet konform ligjeve, pavarësisht të gjitha trysnive dhe shantazheve nga Komuna e Gjilanit, ne dhe punonjësit tanë do të përmbushim detyrën tanë ndaj qytetarëve sa më mirë që është e mundur, me këtë qëndrim” përmbyll reagimin e tij, Senad Ramaj.