Xhiroja e 27-të e Superliges së Kosovës në futboll, për klubin gjilanas, FC Drita sjell ndeshjen e nesërme me FC Malishevën, e cila zhvillohet nga ora 15:00, e në konferencë me gazetarë për këtë ndeshje folën Zekirija Ramadani, trajneri i skuadrës bardh e kaltër dhe lojtari Ensar Huruglica.
“FC Malisheva ka bërë lojëra të bukura, por une jam këtu për ekipin tim dhe objektivi ynë janë gjithmonë tre pikët. Ndeshje të lehta nuk ka dhe ky është një derbi. Gjithmonë e kam potencuar se FC Malisheva ka nje ekip kualitativ, ka një trajner shumë kualitativ gjithasnhtu dhe është aty me meritat e plota, nuk është aty rastësisht, por kamë dhënë shumë mund. Ne jemi Drita, gjithmonë na takojnë tre pikët, pa marrë parasysh kemi mungesa apo skemi mungesa objektivi jonë janë tre pikët”, ka thënë Ramadani.
Ndër të tjera, trajneri Ramadani tha se ka vënë re se Drita me presion luan më saktë.
“Unë çfarë kam arritur të kuptoj te ky grup i futbollistëve është se kur kanë presion janë më të suksesshëm, kur kemi qenë 3 pikë diferencë kemi arritur te fitorja. Mundohemi që unë me bashkëpunëtorët e mi ta mbajmë presionin nën kontroll dhe jo ai të transformohet te futbollistët”, ka thënë Ramadani.
Trajneri i Dritës u pyet edhe për dy javët e pushimit, të cilat sipas tij u shfrytëzuan edhe për përgatitje.
“Ne këto dy javë i kemi shfrytëzuar edhe për pushim, pak për të pushu ekipin se ka qenë shumë i ngarkuar, por edhe për t’i përmirësuar disa gabime që i kemi bërë në ndeshjet e kaluara”, përfundoi Ramadani.
Ndërsa, futbollisti Ensar Huruglica tha se ndonëse kundërshtari është në formë të mirë, por ne i dimë cilësitë tona.
“Nesër ndeshemi me FC Malishevën, e cila ka një ekip shumë të mirë, por duke e ditë kualitetin tonë, gjithmonë shkojmë për tri pikë dhe shpresoj të arrijmë te ajo, pra te fitorja”, theksoi Huruglica.
Përndryshe, u tha se FC Drita do të ketë mungesa të shumta në këtë takim, në mesin e të cilëve edhe ajo e kapitenit Rron Broja. /2LONLINE/