Dhuna në fushën e futbollit ka çuar në një bojkot total të kampionatit shqiptar në të gjitha kategoritë, deri në rikthimin e sigurisë në stadiume.
Në ambientet e kryeministrisë, u zhvillua një takim mes qeverisë dhe FSHF për zgjidhje të kësaj situate.
Masa të rrepta ka paralajmëruar kryeministri Rama, duke kërcënuar se do të kërkojë ndryshim në Kodin Penal, për ndëshkime deri në 3 vite burg për ata që prekin vijat e bardha.
“Dhuna në stadiume nuk mund të tolerohet më. Policia e shtetit dhe FSHF, mos ja lenë topin njëri-tjetrit por të bashkëpunojnë. Rikthimi i Policisë në stadiume do të kërkonte amendimin e ligjit dhe një vendim të posaçëm. Unë besoj se aq sa e rëndësishme është që policia të përfshihet, aq e rëndësishme është që të mos mbetemi thjeshtë se polici“, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.
“Shqetësimi mbetet te impiantet sportive. Ka mjaft impiante që nuk i kanë parametrat minimale të sigurisë. Duhet bashkërisht të garantojmë monitorim me kamera të të gjitha impianteve. Teknologjia na i jep mundësitë. Ne do të ndërhyjmë menjëherë në kodin penal. Kapërcimi i vijave të bardha dhe futja në fushë do të dënohet me 3 vjet burg“, ka thënë Edi Rama.