Me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik dhe mbrojtjes nga COVID-19, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi sot masat e reja kundër COVID-19, në funksion të kufizimit të përhapjes së COVID-19.
Sipas raporteve të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, situata epidemiologjike me COVID–19, në Kosovë është stabile, por rreziku mbetet sepse varianti Delta vazhdon të jetë dominues tek ne, shfaqja e rasteve me variantin Delta plus dhe se në vendet e tjera në rajon dhe botë ka përkeqësim të ndjeshëm të situatës epidemiologjike, ndërkohë që OBSh ka njoftuar për shfaqjen e variantit të ri të quajtur Omicron si variant shqetësues ku kërkohet vigjilencë e shtuar në mbikëqyrjen epidemiologjike si dhe zbatimin e masave si vaksinimi dhe masave jo farmaceutike për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Në një situatë të tillë, duke ju referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK -së, Qeveria ka ndërmarrë masa të cilat për qëllim kryesor kanë ruajtjen e shëndetit publik si dhe parandalimin e shpërndarjes së COVID-19.
Masat e ndërmarra janë proporcionale me rreziqet shëndetësore të shkaktuara dhe të përshtatshme me rrethanat e kohës dhe vendit, si dhe të bazuara në autorizimet e Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Masat e përcaktuara në këtë vendim si dhe afatet kohore shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll por nuk përjashtojnë mundësinë e ndërmarrjes së masave të reja kufizuese apo lehtësuese. /2LONLINE.com/