Kosova vuan për opozitë të fortë, e cila e përcjell punën e pushtetit dhe ofron alternativë për qytetarin. Është e pamundur që vendi të ngecë shkaku i mospunës së pushtetit, por kjo ndodh kur opozita është totalisht e pa interesuar për të ofruar zgjidhje përveç luftës për pushtet.
Shkruan: Ardian Azemi
Demokracia nuk nënkupton se ke të drejtë me bë çfarë të teket. Demokracia nuk ia lejon individit apo një grupimi të sillet jashtë rregullave, në shpërpushje me ligjet, me Kushtetutën. Pushteti buron nga populli, që domethënë se ai (pushteti) ushtrohet nga ata që populli i zgjedh. Pra, çdo tendencë për ta tjetërsua ose për ta shkurtua rrugën që populli e përcakton, është në kundërshtim me vullnetin e tij dhe krijon presedan të rrezikshëm për të ardhmen.
Në historinë e institucioneve shtetërore, kudo qofshin ato, nuk më ka rastisë me dëgjua apo lexua ndonjëherë se opozita angazhohet për t’i krijuar komoditet pushtetit. Roli i saj është që ta bindë sovranin se ata janë më të mirë se të tjerët që udhëheqin, kjo gjithnjë duke ofruar argumente, fakte, oferta para sovranit, përderisa pushteti duhet ta kryej punën e tij në përputhje me mandatin që ka dhe të realizoj premtimet e dhëna për të cilat qytetari i ka dhënë besimin.
Legjislativi dhe ekzekutivi është me mandat katërvjeçarë, dhe kjo është e rregulluar me Kushtetutë si akti më i lartë juridik dhe politik i një shteti. Kosova, fatkeqësisht, nuk po arrin ta kuptoj këtë. Etja e madhe për ta marrë pushtetin, dhe për ta ruajtur atë, i ka minimizuar rregullat e lojës e të cilat janë të përcaktuara me ligje. Fakti që je në opozitë, e kuptueshme që nuk ndihesh rehat, por kjo nuk ta jep të drejtën të manipulosh me sovranin.
Shkuarja në zgjedhje të parakohshme nacionale e ka dëmtua vendin në masë të madhe, sepse ka krijuar precedent të rrezikshëm për të ardhmen, dhe sa herë që dikush nuk është i kënaqur nivelin e besimit qytetarë, duhet të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Kjo ka ndikua edhe në humbjen e besimit qytetarë karshi institucioneve të vendit, prandaj edhe pjesëmarrja në zgjedhje është aq e ulët.
Tani shohim përpjekje që përmes protestave të rrëzohen institucionet e shtetit. Pa asnjë ofertë, pa alternativë, dhe pa një vizion të qartë, po mendohet ti kërkohet popullit që përmes presionit qytetarë të rrëzohet qeveria. Kosova ka nevojë të ndërtoi institucione të përgjegjshme, me një opozitë po ashtu të përgjegjshme. Populli i Kosovës nuk duhet të konsiderohet si mjet përmes të cilit realizohen interesat e njërit apo tjetrit tabor politik. Këtë nuk ia ka borxh populli politikanëve.
Po supozojmë se kjo qeveri po rrëzohet dhe po vjen në pushtet opozita e tanishme, kush garanton se opozita nuk do të kërkojë prapë rrëzimin e qeverisë?! A duhet që qytetarët çdo dy vjet t’i thërrasim; ejani në zgjedhje sepse nuk po jetohet pa pushtet?! Kjo është hajgare, është lojë me ndjenjat e popullit.
Mandati qeverisës është katërvjeçarë, dhe le të përmbyllet i plotë, dhe për këtë interval kohorë, opozita ka mundësi të përgatitet për zgjedhjet e rregullta dhe ta bindë popullin se është ajo zgjidhja e duhur për vendin. Ndryshe nuk bënë, sepse kësisoj kemi me shkatërrua të ardhmen dhe me ia gërditë vendin rinisë.