Ndjesi jo e këndshme kjo për aktivistët e partisë në terren dhe tutje më e pakëndshme për krerët e saj udhëheqës. Pra, para se gjithash, për kreun e saj, z.Kadri Veseli.
Shkruan: Gani NEZIRI
Janë këtu dy ndjesi që e shpjegojnë këtë “trembje” nga PDK të bazuara në dy arsye që aktualisht determinojnë politikën e brendshme të PDK-së në udhëheqjen qendrore të partisë.
Arsye e parë: Kryetarit aktual të PDK-së z.Kadri Veseli i janë lënë në dorë “patatet e nxehta” kadrovike në rrugë dykahëshe (të dyja në drejtim të gabuar) që kanë eksperimentuar me partinë për disa vite me radhë në dobi të interesave të ulëta (politike e kombëtare), por, të nevojshme personalisht, familjarisht, grupor, deri edhe me turp, duke rrezikuar jo vetëm autoritetin partiak por, (edhe më keq), kanë rrezikuar autoritetin e shtetformimit të Kosovës.
Janë këto aferat e njohura të “pronto” politikës, korrupsionit primitiv e “modern” që u mundësonte pozicioni i lartë i tri elementeve në parti. Në fakt, këso lloj elementesh ekzistojnë e funksionojnë si formacione poli-etike dhe në parti tjera që gërryejnë nga brenda kuadrot e sinqertë e serioz, të përkushtuar për shtetformim.
Grupi i parë duke keqpërdor në mënyrë ekstreme autoritetin e shenjtë të luftëtarit të lirisë, për t’u pasuruar në afat rekord kohor, jashtë bazës reale të të ardhurave mujore që kanë. U pasuruan aq shumë dhe aq shpejt (për pesë vite pushtet), sa që; për 50 vjet pushtet nuk kanë arritur të pasurohen ish luftëtarë e politikanët para nesh, si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Ymer Pula etj.
I mbushën strajcat dhe ikën nga PDK për ta Nisur një parti të re politike. U duk se qëllimi ishte i njëjtë; zhvatja e pushtetit, por, me dimension të ri. Dhe prej aty, tani nuk duan koalicion me PDK-në.
Ndërkohë që, grupi i dytë, i ashtuquajtur “kuadrat e shkolluara perëndimore” duke dhënë ide “gjeniale” për hapjen e “BUMuniversiteteve” (si kërpudhat pas shiut), ku do të mund të inkuadroheshin para se gjithash vet ata (dhe gjithë akraballëku i tyre) nga ku edhe do të mund të shisnin nota e diploma kujtdo që paguante, (pa ndjerë keqardhjen kolektive kombëtare), duke krijuar gjenerata analfabetësh që nuk i duhen askujt për asgjë. Madje, as familjeve të tyre. “Dybydyz” total!
Grupi i tretë, pakurrizorët e partisë, që nuk ishin as luftëtarë lirie dhe as “shkollarë perëndimorë” luanin rolin e ndërmjetësuesve në mes dy formacioneve (mirë me këta mirë me ata) duke kullotur sa andej e sa këndej, kështu krejt heshtur, jua kaluan të dy palëve në zhvatjen pushtetit.
Ky lloj i vakët politikanësh të pa ide personale e “pa kurriz”, kanë nuhatur vendosmërinë e liderit të PDK-së për riformatim të partisë duke mos i kursyer as ata (qarkullojnë informatat ndërmjet aktivistëve), po hulumtojnë terren veprimi në partitë tjera duke u takuar “tinëzisht” me krerët e tyre për të aderuar aty, por, me kushtin ekstrem: që në asnjë mënyrë të mos bashkërenditen në koalicion me PDK-në.
“Kuadro” të dalë nga “BUMuniversitetet”, duke besuar në notat dhe diplomat e blera me para, shumë shpresuan në premtimet e rrejshme për punësime kolektive, dhe kështu kolektivisht votuan PDK-në duke na sjellë fitore pas fitore. Një ditë të vonshme (pasi u lodhën me pritjen e pasosur) e kuptuan mashtrimin dhe për pasojë na e kthyen shpinën. Edhe këta, bashkë me ata, po takohen “tinëzisht” në parti tjera për aderim por, me kushtin që të mos futen në koalicion me PDK-në.
Kjo pra, është arsyeja e parë pse asnjë parti nuk dëshiron të bashkërenditet me PDK-në në koalicion!
Arsye e dytë, është se,z.Kadri Veseli, duke e pare këtë gjendje të koklavitur brenda partisë, të dhimbshme e të mjerë, (si u pa nga pika e parë),ka vendosur t’i shpallë luftë të pakompromis tri elementeve negative brenda partisë (si që dihet tani më, edhe publikisht), duke i pezulluar deri në vërtetësinë gjyqësore si organ relevant i funksionimit të shtetit ligjor.
Të njëjtën gjë, z.Veseli e kërkoj edhe nga krerët e partive tjera, (si kusht për bashkëqeverisje me PDK-në) që t’i ndëshkojnë keqpërdoruesit e pushtetit. Të largojnë atë llum pushtetarësh; ,”veteranësh” e “shkollarësh” që janë pengesë e punës dhe e zhvillimit të shtetit.
Fatkeqësisht, asnjëri nga krerët e partive tjera në Kosovë ende nuk ka shprehur gatishmërinë politike për tu vënë në ndjekjen e keqpërdoruesve brenda partive të tyre. Normalisht se nuk mund ta bëjnë sepse, me gjasë edhe veten e tyre po e gjejnë aty.
Pra, këto janë dy arsyet e sigurta; pse asnjëra nga partitë nuk pranon koalicionin me PDK-në, respektivisht, me z.Veseli.
Prandaj, këto ditë, z.Veseli dhe mbështetësit e tij serioz brenda PDK-së, mbesin me shpresën e pritjes në kohë se do të gjinden element pozitiv brenda partive tjera që do të thërrasin logjikën e arsyes për veprim koherent në dobi të Kosovës dhe qytetarëve të sajë.
Madje, edhe qytetarët e ndershëm të përkatësive të ndryshme partiake e kanë mirëpritur vendimin e guximshëm të z.Veseli kundër të korruptuarve të të gjitha ngjyrave partiake. Kjo nënkupton se shumica e qytetarëve të Kosovës kanë kthyer besimin dhe shpresën (që kishin humbur dikur) te z.Veseli për Kryeministër të ardhshëm të shtetit.