“Sot në shkollën fillore “Abaz Ajeti” – filluam zbatimin e programit “Sporti në Shkolla”, i cili ka për qëllim ndërtimin e një shoqërie aktive dhe të shëndetshme përmes pjesëmarrjes së nxënësve në aktivitete fizike dhe sportive”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan.
Më tej thuhet: Përfshirja e sportit në shkolla është një mundësi e mirë për të rinjtë që të rriten të shëndetshëm. Sporti përmirëson jetën. E të rinjtë që merren me sport nuk e kalojnë kohën e tyre kot, sepse ajo është një kohë e vlefshme.
Është shumë e rëndësishme të kuptohet që fëmijët duhet ta vlerësojnë rëndësinë e aktivitetit fizik që në moshë të re. Andaj, marrë parasysh këtë fakt, ne si drejtori po punojmë shumë që në aktivitetet ekstrakurrikulare të përfshijmë sa më tepër edukimin fizik, dhe sporte të ndryshme.
“Falënderojmë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për përkrahjen e vazhdueshme”, thuhet në fund të njoftimit të DKA-së nëGjilan. /2LONLINE/