Profesioni i hajnit në kohë të re u bë më i preferuari, më i përfoluri dhe më i diskutueshmi. Gjithçka lidhet me këtë profesion dhe të gjithë bëjnë llafin e tij. Nuk ka profesion më fitimprurës në këto kohë dhe nuk ka njeri më thuajase që nuk e preferon.
Ndër të gjithë profesionistët, – profesioni i hajnit është qendrori. Askush nuk e ka në shkollim, nuk e ka as lëndë mësimi, por të gjithë thuaja se e dijnë dhe e studiojnë perfekt, a natyrisht!? Pasi nuk ka shkollë, as lëndë, as vend ku mësohet, nuk ka as përgjegjësi para ligjit për hajni.
Femi HALIMI
Është interesant se për hajni nuk ka shkollë, as nuk mësohet zanat te ndonjë mjeshtër, as nuk ka specializim për hajn. Ai që merret me hajni, nuk ka as mbrojtje sociale a shëndetësore dhe nuk i pranohet as stazhi, e me këtë nuk pret as pension në pleqëri.
Gjithë kjo kështu duket jo e dëshirueshme dhe e pasigurtë në profesionin e hajnit dhe njerëzit e urrejnë e kritikojnë hajninë, kurse shteti ka edhe ligj me të cilin e ndjek dhe ndëshkon hajninë.
Ligji Penal ka një pjesë të veçantë ku përmendë hajninë si vepër penale, lidhur me aline e paragrafë, sipas peshës së hajnisë, të kombinuar edhe me dhunë, armë, lëndim të rastit, kanosje me armë, e nganjëherë edhe me vrasje. Me këtë hajnia kalon në grabitje dhe d;nohet rëndë. Anise ligji nuk zbatohet, ligji e ka pjesën për hajninë.
Në të vërtetë ndëshkueshmëria për hajni është e strukur në Ligjin Penal dhe në masat tjera gjyqësore, me çka mbulon përgjegjësinë ligjore të pushtetit për ndëshkueshmëri të veprës penale të këtillë, e kjo e heqë barrën morale dhe me këtë ligji përfundon punën e vet.
Hajnat ndërkaq janë njerëzit më inteligjentë nga njerëzimi. Pasi nuk kanë shkollim të vet për hajni, këta hajnat kryejnë shkolla tjera nga shkollat e fakultetet dhe pajisen me diploma e vërtetime dhe zënë vende pune në pushtet.
Një por është, dukuri e nisur kahmot, në përmendje të hajnave dhe në këtë, në fyerjen e përbuzjen e profesionit të hajnit. Hajni i vërtetë, është shumë njeri i mirë dhe ka një rregull jetësor të vetin, -shumë dinjitoz. Hajni e quan veten hajn dhe nuk pret që të tjerët ta quajnë kështu me këtë emër. Hajni i vërtetë nuk ka shkollë nga shkollat që janë, publike, e të licencuara, sepse për hajni nuk i nevojitet shkolla. Hajni në të vërtetë, vjedh kahdo dhe sidoqoftë, me mjeshtrinë e vet, me inteligjencën, intuitën, hipnotikën dhe shpejtësinë. Hajni por nuk paguan shkollë e të rendohet në pozita të administratës, në kreun politik e në diplomaci. Mbi të gjitha hajni nuk bëhet patriot për të ardhë në pozita të larta dhe për të tunduar orë e çast eshtrat e shpirtrat e të vdekurve të rënë për atdhe.
Hajni këtë kurrë nuk e bën, sepse ka një diçka njerëzore përbrenda që don ta ruaj. Hajni i vërtetë për këtë është protestues ndaj mediave dhe opinionit që tanimë e ka bërë orë e çast zanatin e tij objekt fyerjeje e nënçmimi.
Asnjë nga hajnat të cilët i përmendë opinioni e mediat nuk janë hajna dhe në këtë hajnat e vërtetë protestojnë dhe vetë mua më thanë ta shkruaj një këso proteste në emër të tyre, -të disave prej tyre, -që erdhën mysafir tek unë.
Thanë se protestojnë se mediat e opinioni ia nxorrën bishtin me fyerjet e poshtërimet ndaj hajnave. Le më këto por, si thanë hajnat, edhe partitë politike e kanë bërë zakon të na përflasin e përgojojnë, përshkruajnë e gjykojnë, duke quajtur me këtë zanat krejtësisht njerëz të profesioneve tjera, por jo të hajnave.
-Le t’i quajnë, thanë këta hajnat, -ata që vjedhin e përvetësojnë, ashtu si quhen ata, nga zanati, shkollimi, partia, grupi, nëntoka a mbitoka, ajri a qeveria, -të cilave u takojnë ata, -por thanë, -le t’i quajnë si duhet të quhen, e jo me profesion tonin.
Hajnat treguan gjërësisht indinjatën e tyre, spjeguan mirë se çka është profesioni i hajnit dhe se thanë që secili le të quhet nga profesioni i vet e mjeshtria që bën, po jo të ketë profesion tjetër e të quhet hajn, -sepse as ligji kështu nuk ka çka u bën, sepse konflikti i interesit bën që profesioni i hajnit të kundërshtohet nga profesioni i personit me shkollim superior, që është udhëheqës i lartë në pushtet të partisë së vet e të vendit, që qëndron kundër hajnisë, që thërret opinionin për ndëshkimin e hajnave, e vetë shpëton, anise bën punën tonë nga profesioni.
U propozova këtyre hajnave të ndershëm që të formojnë një sindikatë, ku do t’i mbronin të drejtat e tyre, sidomos zanatin, pasi se në emër të zanatit të tyre po përfitojnë të gjithë tani tek ne. Mandej, nëse ushtrojnë zanatin e hajnisë të tjerët që nuk e kanë kryer këtë zanat, le t’i vizitojë inspeksioni dhe le t’i dënoj, për ushtrim të zanatit të huaj, pa shkollim e diplomë. Nuk mund të ushtrohet një zanat publik me ligj, e për të cilin mos të kihet as një ditë shkollë. Për më tepër të fshihet pas personave të tjerë të cilët quhen mjeshtër të këtij zanati, e duke mos ditur si ushtrohet ky zanat. -E kanë ulë për të keq dinjitetin e profesionit këtij, kaq të çmueshëm tek ne dhe në botë, -komentuan hajnat, në ndejë me mua me kafe, në librarinë time “Galeria”
Hajnia e korrupcioni tek ne janë dy fjalë që më së shumti përdoren në media e në opinion. Çdo mediator a gazetar, opinionist, sajon fjalorin nisur nga këto dy fjalë –terme, shumë të forta. Gjithë shkollimi dhe specializimi i tyre shkon me mësimet nga këto dy fjalë, të cilat përdoren për sulm dhe mbrojtje, për taktikë e për gjuajtje të lira, me e pa të drejtë. Gjithkujtë i referohet gjuajtje e lirë dhe penall, i përjashtohet lojtari nga loja, ndërrohet referi e edhe mbyllet stadioni, sipas nevojave të këtyre opinionistëve.
Nuk dijnë, -sepse nuk kanë mësuar kund kurrë, -por kanë shkollë të blerë me euro shumë dhe me vende pune tek padronët partiakë e të nëntokës, -thanë. -Gjithë kjo punë bëhet me standarde të reja dhe me ndryshime çfarë nuk ka pasur kurrë më parë, e në çka u ndihmon edhe interneti, kompjuteri, mobili dhe lidhja e fortë.
Ndër të gjithë profesionistët, -profesioni i hajnit është qendrori. Askush nuk e ka në shkollim, nuk e ka as lëndë mësimi, por të gjithë thuaja se e dijnë dhe e studiojnë perfekt, a natyrisht!? Pasi nuk ka shkollë, as lëndë, as vend ku mësohet, nuk ka as përgjegjësi para ligjit për hajni.
Kot çirren mediat për vepra hajnie këtu e atje, kështu e ashtu, kur nuk ka si të kërkohet ndjekje penale, kur nuk ka as si të bëhet kjo. Mirëpo nuk është fer që gjithë kjo të bëhet me përfitim në dëm të hajnave dhe të emrit të tyre të madh. Hajnat për këtë protestojnë dhe kërkojnë drejtësi, që secili të qëndrojë në profesion të vet, ju lutem!
Njëri hajn më tregoi për një kolegë të tij që ishte me titull doktori shkencor në një lëmi dhe në profesion të tij në krye të vendit, e të cilin e kishte kritikuar për shkak të konfliktit të interesit sepse po vidhte shumë por po e bënte këtë me titull shkencor e bile edhe me atdhetari, përmes botimit të shumë librave. Tha se ky kolegu i tij me shkollë, merr një subvencion a donacion nga qeveria prej dyqindmijë e tepër eurove për një botim “atdhetar”, prej të cilave siç i kishte treguar kolegu i tij në besim, një të katërtën i shpenzon për botimin, e të tjerat i mbeten në konto në bankë, për shpirt!
Ky lloj hajni, siç thanë hajnat, ishte shumë i ultë dhe hipokrit. Hajni i vërtetë thanë vjedh dhe këqyrë punën e vet, nuk lavdërohet, nuk përulë të tjerët, nuk nënçmon kend, nuk organizon koncerte humanitare as fonde humanitar për skamnorët, e kërrk për vete.
Kështu, thanë hajnat, kjo është mënyra më e poshtër njerëzore dhe që kjo po na ndodhë prej para lufte kështu. Hajni këtë nuk e bën thanë hajnat dhe le të ndahen një herë e përgjithmonë mirë këto punë tek ne, sa për njoftim.
Hajnat folën mandej, për mënyrat tjera të hajnisë të cilat i bëjnë njerëz me përgjegjësi të lartë në shoqëri e me bagazh të njerëzve të ndershëm e të familjeve të ndershme, të pasur e të edukuar, -me të gjitha të mirat e mundshme, -por që në ndërkohë këtë e bëjnë për të vjedhë e për të mos u hetuar e zënë.
Megjithëse nuk ka kush i zen, -sepse edhe zënësit u bënë ma ta, -megjithkëtë, kanë një taktikë perfekte të fshehjes pas titujve e ndereve, -dhe pas tyre mandej fshihet gjithë kariera e tyre e milionave e miliardave tani të fituar e të hedhur në emër të vet.
-Të gjithë vjedhin, -vazhdoi një hajn tani në moshë, me penzionerët, por shumë i gjallë! –Vjedhin mësuesit, mjekët, doganierët, mbrojtësit e siguruesit, qeveritarët e ndihmësit e tyre, shitësit e transportuesit, mbikëqyrësit e inspeksionet, sportistët e trenerët, federatat e ministritë, partitë e menaxherët e tyre, -të gjithë. Nuk ka vend e profesion ku nuk vidhet e mashtrohet dhe kjo punë ka hyrë tanimë, si një diçka pjesë e njeriut, e pandashme.
-Krejt në rregull, -tha hajni i moçëm me shmim, -por gjithë këtë e bëjnë, pasi një herë punësohen, marrin tituj, shpallen të ndershëm, të meritueshëm, të besueshëm, të drejtë, ndarës të drejtësisë, sigurisë e atdhedashurisë, e me diplomë të verifikuar nga pushteti. Gjithë këto kur kryhen, kur u vjen rasti e radha, kalojnë në profesionin e hajnit dhe nuk ndalen më!
–Nuk është në rregull kjo! –protestoi ky i vjetri. –Le të vjedhin, por mos të quhen të ndershëm, -mos të rrijnë në dy vende! –O hajna, -o të ndershëm! –Shihni, për këtë, -përfundoi hajni i moçëm me satisfaksion, -unë kam qenë njeri profesionist, i profesionit tim. –Më i mirë jam unë, -tha me krenari, -që kam vjedhë dhe e quaj veten hajn, publikisht, -se ata që vjedhin, e fshihen pas vendeve të punëve, sigurive ligjore, nderit e respektit!