Shkruan: Sabedin SINANI
Tashmë kur dihet se çelësi i integrimit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar gjendet te një zgjidhje eventuale e kontestit mes Kosovës e Serbisë, vendi ynë vështirë se mund të llogaritet si integrim në organizata ndërkombëtare në rast të dështimit zyrtar të dialogut. Skenari i dështimit të dialogut – i kornizuar ndryshe si skenari i zyrtarizmit të ”konfliktit” të ngrirë” – do ta vendoste Kosovën në një pozicion mbijetese pa perspektivë zhvillimore.
Në kuadër të këtij skenari, Kosova do të varej nga partneritetet bilaterale, duke investuar fort në mirëmbajtjen e tyre dhe eventualisht në zgjerimin me partnerët e tjerë jashtë Evropës, sidomos në fushën e mbrojtjes e ekonomisë. Krahas kësaj, vendi do të duhej ta shfrytëzonte edhe më tutje prezencën e KFOR-it për interesa të saj, edhe pse prezenca ndërkombëtare ushtarake si e tillë vijon së ushtruari misionin në përputhje me Rezolutën praktikisht të vjetëruar të Kombeve të Bashkuara 1244.
Integrimi në NATO vazhdon të mbetet një aspiratë e theksuar shprehimisht në dokumente zyrtare, megjithatë kjo vështirë se do të mund të arrihej pa sigurimin e njohjeve ekzistuese nga shtetet e mbetura të NATO-s. NATO vazhdon ta trajtojë Kosovën në mënyrë të ngurtë: është një nga organizatat ndërkombëtare (së paku krahasuar me BE-në) e cila në mënyrë strikte dhe pa ekuivoke i referohet Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të KB-së 1244. Ajo si e tillë (pra në suaza të 1244) e sheh jo vetëm misionin e saj të KFOR-it por edhe Kosovën, së paku në kuptimin formal.
Megjithëse në aspektin jo formal ajo ka ndërveprim me institucionet e shtetit të Kosovës, përfshirë dhe me instrumentet kryesore të shtetit siç janë Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Jashtme. Kosova të arriturën e vetme me NATO-n e ka pasur në një letërkëmbim në vitin 2015 në mes Sekretarit të NATO-s Stoltenberg dhe ish-Kryeministrit Mustafa. Ky letërkëmbim, vendosi një kornizë të ngushtë të ndërveprimit mes NATO-s dhe Kosovës, e cila kornizohet në fushat siç janë: reagimi emergjent, ndërtimi i integritetit, vizitat studimore etj. Ky ndërveprim si i tillë ka limite dhe pothuajse është zbatuar në dy vitet e para.
Si do të zhbllokohej rrugëtimi i Kosovës drejt NATO-s nëse do të arrihej marrëveshja mes Kosovës e Serbisë? Shtetet anëtare që nuk na njohin kanë dhënë indikacione se pozicioni i tyre do të mund të arrihej në rast të ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Spanja, një prej vendeve më kundërshtuese të pavarësisë, e ka bërë të qartë së voni se do të pranojë çfarëdo marrëveshje mes dy vendeve, përderisa shtetet si Greqia e Sllovakia kanë dërguar sinjale akoma më të qarta në drejtim të njohjes pas ndonjë marrëveshjeje eventuale. Rumania do të mbetej e izoluar në rast të një zinxhiri njohjesh nga tre shtetet e përmendura.
Në rast të arritjes së marrëveshjes e cila do të prodhonte njohjen nga katër shtetet e NATO-s, trajektorja e integrimit të Kosovës në këtë organizatë do të bëhej në tre hapa. Hapi i parë i anëtarësimit të secilit shtet në NATO ka qenë dhe – teknikisht vazhdon të jetë – aderimi në Programin e NATO-s ”Partneritet për Paqe” (PpP). PpP është lancuar në vitin 1994 me qëllim të krijimit të partneriteteve të vendeve në tranzicion demokratik si dhe atyre në fqinjësinë e afërt me shtetet e NATO-s, duke ia trazuar rrugëtimin sidomos shteteve të ish-bllokut të Lindjes, që aderimin e tyre në këtë program ta nisin zyrtarisht procesin e anëtarësimit në NATO. Për arsye politike dhe të mosnjohjes nga katër shtetet e NATO-s, Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm, i cili nuk është pjesë zyrtare e PpP dhe as nuk përfiton nga fondet dhe aktivitetet që derivojnë nga ky program. Shtetet e fundit të cilat u bënë pjesë e PpP-së në Ballkanin Perëndimor ishin: Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Vetëm kjo e fundit nuk është pjesë e NATO-s – pozicioni zyrtar i saj është ruajtja e “neutralitetit ushtarak”, për shkak të bombardimeve të vitit 1999.
Pavarësisht se PpP vijon të jetë teorikisht hapi i parë për anëtarësim në NATO, në kohën në të cilën jemi, si dhe duke pasur parasysh prezencën e KFOR-it e cila do të mbetet (qoftë edhe simbolikisht) deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në këtë organizatë, Kosova me automatizëm do t’i plotësonte kushtet për të qenë pjesë e PpP. Shtetet e fundit të cilat aderuan në PpP duhej t’i përmbushnin kriteret bazike të themelimit të instrumenteve të kontrollit civil e mbikëqyrjes demokratike mbi sektorin e sigurisë, të cilat Kosova i ka dukshëm më të konsoliduara se shtetet përreth. Kjo për faktin se institucionet e Kosovës në mënyrë të njëanshme apo si pjesë e proceseve tjera kanë ndërtuar sektorin e sigurisë në kuadër të kushteve të kërkuara edhe nga NATO-ja.
Si alternativë e aderimit të Kosovës në PpP, debutimi i Kosovës në procesin e integrimit në NATO do të mund të bëhej me një zotim politik të shteteve anëtare në mbledhjen e Këshillit të Veri-Atlantikut (NAC) mbi bazën e së cilës do të konstatohej se NATO i ka dyert e hapura për Kosovën, mbase pas shprehjes formale të interesit për anëtarësim nga ana e qeverisë së Kosovës. Ky momentum, përveç se do të konsiderohej si pikënisje për anëtarësim, me automatizëm do t’ia lejonte Kosovës qasjen në të gjitha programet e NATO-s, njëjtë sikurse shtetet joanëtare; do t’ia hapte shtegun e çeljes së përfaqësisë së Kosovës në NATO, sipas modeleve të shteteve tjera joanëtare apo atyre që synojnë anëtarësim; do të niste procedurat për dizajnimin e udhërrëfyesit kryesor për anëtarësim – Planit të Veprimit për Anëtarësim (Membership Action Plan).
Plani i Veprimit për Anëtarësim (PVA) do të përbënte kornizën kryesore për anëtarësimin e Kosovës ku në kuadër të saj do të listoheshin një sërë kushtesh që vendi do të duhej të zbatonte për t’u integruar në NATO. Gjykuar nga përvoja e shteteve të tjera, kushtet do të ndaheshin në ato të karakterit politik dhe ushtarak. Secili shtet i ka pasur kushtet e veta specifike (“tailor-made conditions”). Megjithatë, duke u bazuar në skenarin e rëndimit me kushte për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave (krahasuar me shtetet tjera), e njëjta logjikë do të mund të na printe edhe në kuadër të PVA për NATO. Aktualisht në rajon, vetëm Bosnja e Hercegovina është në proces të PVA dhe ajo nuk ka arritur që ta përmbyllë këtë për shkak të bllokadës që vjen nga entiteti Republika Srpska. Shtetet e tjera të cilat tanimë janë pjesë e NATO-s iu kanë nënshtruar ngjashëm procesit nëpërmjet PVA.
Në rast se njohjet ekzistuese do të zhbllokoheshin, periudha kohore për zbatimin e PVA logjikisht do të duhej të përkonte me zbatimin e Planit të Tranzicionit të FSK-së, i cili për afat final ka vitin 2028. Periudha 7 vjeçare e zbatimit të PVA do të përbënte një afat optimal për Kosovën dhe vet NATO-n.
Në kuadër të kushteve politike të cilat do të parashiheshin me PVA, aty do të mund të përfshiheshin një spektër i gjerë i kritereve, të cilat orientimisht do të kishin të bënin me çështjet si: zbatimi i marrëveshjes me Serbinë (pikat konkretet të karakterit politik e të sigurisë); përfundimi i demarkacionit me Serbinë dhe marrja graduale e kompetencave nga KFOR-i për ruajtjen e kufirit nga Policia Kufitare e Kosovës; konsolidimi i mbikëqyrjes demokratike e kontrollit civil mbi FSK-në (mbase edhe revidimi i legjislacionit në fushë, nëse e domosdoshme); mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe garantimi i statusit për objektet e veçanta dhe ato të kultit. Sigurisht se, në varësi të rrethanave, pjesa politike e PVA do të përfshinte disa nënkritere tjera, mbase në koordinim me BE-në dhe palë të tjera… /2LONLINE/
/vazhdon/
Autori është themelues i Organizatës “Këshilli Atlantik i Kosoves”