Kosova si asnjëherë më parë, ka nevojë për një institut shtetëror i cili do të përbëhej nga njerëz të zgjedhur, profesionistë dhe të pandikuar politikisht e që do punonin dhe ndihmonin qeverinë dhe shtetin në përgjithësi me plane dhe platforma afatgjate të tipit ku kemi qenë, ku jemi dhe ku dëshirojmë të arrijmë.
Shkruan: Bekim Thaqi
Shpesh, është përmendur dhe diskutuar në kuloare të ndryshme të shoqërisë kosovare, rreth një Instituti shtetëror që do merrej me studimin dhe hulumtimin e prioriteteve nacionale të Kosovës në plan afatgjatë dhe mënyrës se si të arrijmë deri tek ato.
Fatkeqësisht deri tani shumicën e kohës kemi pasur improvizime nga ana kosovare dhe ndonjë strategji aty këtu tonën ose të kopjuar nga shtetet tjera për realizimin e ndonjë prioriteti me rëndësi mirëpo jo diçka të planifikuar dhe të studiuar me kujdes nga ndonjë institucion yni.
Në të njëjtën kohë edhe Akademia e Shkencave të Kosovës nuk është se është shquar në këtë mes dhe nuk ka pasur ndonjë ide apo strategji se si të ecet përpara dhe lë shumë për të dëshiruar.
Secila qeveri e pasluftës në varësi edhe prej kompozicionit partiak, është munduar shumë ma tepër me anë të improvizimeve të ndryshme, e jo me ndonjë strategji të qartë, të bëjë diçka në përcaktimin e prioriteteve dhe mënyrave për ti arritur ato, mirëpo, përpjekjet e tilla kane qenë të destinuara të dështojnë që në fillim ose të mbesin përgjysmë pasi në krye te këtyre strategjive janë vendosur njerëz partiak dhe pa ndonjë njohuri më të thelle për zbatimin e tyre.
Pra, kriter për krijimin e një instituti të tillë duhet të jetë vetëm profesionalizmi, aftësia dhe largpamësia për të bere strategji të mirëfillta planifikimi e veprimi e që do të gjenin zbatim nga secila qeveri që do vijë në pushtet duke e ndjekur politikën e vazhdimit të saj e jo te ndërprerjes dhe fillimit me plane tjera improvizuese.
Cilat janë prioritetet nacionale për Kosovën dhe me çka do merrej një institut i tillë shtetëror?
Ekonomia, Siguria dhe Arsimi përbëjnë bazën themeltare të çfarëdo planifikimi dhe këtu duhet të përqendrohen përpjekjet dhe çfarëdo hulumtimi dhe strategji me të cilën do merrej një Institut i tillë.
1. Ekonomia- të shikohen dhe hulumtohen se kah janë duke shkuar dhe kah mund të shkojnë trendët e zhvillimit ekonomik në 20 vjetët e ardhshme e edhe me larg si dhe ndërmerren masa te zhvillimit ekonomik në atë drejtim. Të ndiqen me përpikëri nga qeveria këto strategji dhe të zbatohen në vitet e ardhshme nga secili subjekt që do të ketë drejtimin qeveritar.
2. Sa i përket sigurisë të bëhet një strategji për themelimin e ushtrisë dhe mbrojtje të sigurisë nacionale dhe të investohet në këtë drejtim me synimin përfundimtar të futjes në NATO dhe anëtarësisë në këtë organizate ushtarake me të cilën shumica e problemeve të sigurisë do të zgjidheshin.
3. Arsimi përbën ndoshta edhe sfidën ma të madhe në këtë drejtim pasi eksperimentimet e deritanishme shumëvjeçare vetëm sa e kanë zhytur arsimin drejt problemeve të shumta dhe drejt një deziorentimi të paqartë. Në arsim duhet të hulumtohen mënyra dhe strategji që marrin parasysh identitetin kulturor dhe nacional e jo të kopjohen modele që nuk kanë të bëjnë me mënyrën e të jetuarit dhe vepruarit tek ne si dhe të shihet se nga po shkojnë rrjedhat e arsimit në botë dhe të hulumtohet tregu i punës.
Një hulumtim i mirëfilltë dhe strategji të tilla mund të bëhen vetëm nëse kemi një Institut kredibil të përbërë nga njerëz profesionistë dhe një zbatim të kujdesshëm dhe afatgjatë mandej nga subjektet qeveritare që do vijnë në pushtet. Nëse bëjmë projekte të mira afatgjate në lidhje me këto tri çështje atëherë do të jemi një shtet kredibil me të gjitha parametrat e një vendi stabil dhe demokratik.