Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ambasadorin Boris Ruge.
Presidentja Osmani ka përsëritur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë.
Në takim u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, me ç’rast, Presidentja Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës.
Tutje, Presidentja Osmani e uroi z. Ruge për samitin e suksesshëm të NATO-s në Washington D.C., ku Republika e Kosovës u përfshi për herë të parë në një sërë aktivitetesh në kuadër të samitit, me ftesë të Presidentit Biden dhe Sekretarit Blinken, e ku u riafirmua uniteti transatlantik dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën. /2LONLINE/