Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim përshëndetës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, z. Philip S. Kosnett.
Duke e falenderuar për punën e palodhshme dhe angazhimin jashtëzakonisht aktiv gjatë misionit të tij në vendin tonë, Presidentja Osmani tha se puna e ambasadorit Kosnett dhe të stafit të tij janë po ashtu kontribuese të rëndësishme në drejtim të mbajtjes së Kosovës lartë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-ve.
Palët diskutuan edhe për raportet e thella e strategjike ndërmjet të dy vendeve, me ç’rast Presidentja Osmani vlerësoi se tashmë jemi në një etapë të re të bashkëpunimit bilateral, e cila krijon mundësi të jashtëzakonshme për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në vitet në vijim.
Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu mirënjohjen e thellë për vlerësimin e punës së tij dhe konfirmoi se raporti në mes të Kosovës dhe SHBA-ve do të jetë përherë i fort dhe i pakontestueshëm.
Në takim palët vlerësuan lartë edhe faktin se raporti në mes të dy vendeve tona po zhvillohet gradualisht me një dinamikë të re e premtuese, ku Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë partner aktiv dhe kontributdhënës në procese të ndryshme strategjike. Në këtë kontekst, u apostrofua vendimi i fundit i insitucioneve kosovare për mikëpritjen e qytetarëve afgan, angazhimin e FSK-së në misione paqeruajtëse krah ushtrisë amerikane, si dhe angazhimi aktiv i Kosovës në luftën ndaj terrorizmit.
Në shenjë të mirënjohjes së thellë, Presidentja Osmani e dekoroi ambasadorin Kosnett me urdhërin ‘”Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në vend. /2LONLINE.com/