Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo është padyshim një nga fundjavët më shpresëdhënëse që prej shumë kohësh në sport, pasi që ka vlerësuar lartë fitoren e xhudistit Akil Gjakova në Kampionatin Evropian, ku edhe e përfundoi si kampion i Evropës këtë garë.
“Ju po ia dëshmoni gjithë botës se kur ka vullnet, angazhim, përkushtim e talent, nuk ka barriera e as pengesa që nuk tejkalohen, sepse e mira gjithmonë triumfon dhe puna gjithmonë shpërblehet”, ka thënë Presidentja Osmani.
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
I artë dhe Akili jonë!
Kjo është padyshim një nga fundjavët më shpresëdhënëse që prej shumë kohësh në sport.
E gjithë kjo falë xhudistëve tanë dhe triumfit të tyre të pashoq në Kampionatin Evropian.
Sot, Akil Gjakova e përfundoi si kampion i Evropës këtë garë.
Ju po ia dëshmoni gjithë botës se kur ka vullnet, angazhim, përkushtim e talent, nuk ka barriera e as pengesa që nuk tejkalohen, sepse e mira gjithmonë triumfon dhe puna gjithmonë shpërblehet.
Xhudistëve tanë, familjeve që i përkrahën, e trajnerëve që i kalitën ata deri në perfeksionizëm- ju lumtë e bravo që po e ngrisni Republikën tonë drejt majave të Olimpit xhudist!