Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacollin, zhvilluan një takim me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Presidenti Thaçi ka falënderuar kryetarin Tusk për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në vjetet e fundit, duke mbështetur zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Si shteti më pro-evropian, Kosova dhe shtetet tjera të rajonit kanë nevojë për qartësi dhe dinamikë të re të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka shtuar se qytetarët e Kosovës kanë nevojë të bëhen pjesë e mobilitetit në Evropë, përmes liberalizimit të vizave dhe pjesëmarrjes në tregun evropian.
Në këtë takim është biseduar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, përmbushjen e reformave dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.