Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiqin, i lehtësuar nga Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.
Pas takimit, presidenti Thaçi ka thënë se ka qenë një takim korrekt, në të cilin janë diskutuar hapat e mëtutjeshëm për fillimin e një faze të dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe pajtim.
“Edhe Kosova edhe Serbia, qytetarët e dy vendeve kanë nevojë për një marrëveshje përfundimtare që u hap perspektivë të dy vendeve tona”, ka theksuar ai.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura dhe si fqinjë ekziston një domosdoshmëri për komunikim. Presidenti ka ritheksuar se kjo fazë e re e dialogut duhet të fillojë sa më shpejt që është e mundur dhe të kryhet sa më shpejt që është e mundur.
“Ne kemi besim të plotë në rolin udhëheqës të zonjës Mogherini, që duhet të ketë një unitet të qëndrueshëm të Bashkimit Evropian dhe një mbështetje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ai.
Duke folur për përmbajtjen e takimeve të ardhshme, presidenti Thaçi ka thënë se do të diskutohen tema që kanë mbetur ende të hapura, që janë të nevojshme të përmbyllen njëherë e përgjithmonë për t’i dhënë fund armiqësive njëshekullore.
Sot, mes Kosovës dhe Serbisë, kemi një komunikim më normal se që ka qenë më herët. Marrëveshja përfundimtare do të jetë ndihmuese për njëra-tjetrën, por edhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton marrëveshje për paqe dhe stabilitetin për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.
residenti Thaçi nga Brukseli ka bërë thirrje që sa më parë të krijohen institucionet e Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit. “Ftoj gjithë spektrin politik që sa më shpejt të formohet Qeveria, të konstituohet dhe të funksionalizohet Kuvendi i Kosovës”, ka shtuar ai.
Presidenti ka thënë se pas krijimit të institucioneve, në mënyrë sa më konsensuale të mundshme, përmes Ekipit të Unitetit, Kosova të përfaqësohet në këtë pjesë finale, përmbyllëse, historike të shtetndërtimit.
Ai ka thënë se çdo zgjidhje përfundimtare do të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
“Për këtë arsye kam thirrur për krijimin e një baze të gjerë përfaqësuese të spektrit politik kosovar dhe të shoqërisë civile, të medieve dhe opinionbërësve”, ka shtuar ai.