Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me të cilin ka biseduar për të arriturat e FSK-së dhe ngritjen e kapaciteteve të saj për t’iu përgjigjur nevojave të Republikës së Kosovës për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj.
Gjenerallejtënant Rrahman Rama e informoi presidentin Thaçi për të arriturat e FSK-së dhe ngritjen e kapaciteteve të kësaj force.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s dhe është e gatshme të jetë ushtri e Kosovës”, u shpreh gjenerallejtënant Rama.
Presidenti Thaçi u shpreh i kënaqur me të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me planet për të ardhmen e kësaj force.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është rekrutuar dhe është përgatitur në bashkëpunim me NATO-n dhe sipas standardeve të NATO-s”, u shpreh presidenti Thaçi.
“FSK është forcë profesionale e standardeve të NATO-s, shumetnike, me përfaqësim të duhur gjinor dhe e gatshme t’u përgjigjet të gjitha sfidave të sigurisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.