Sot në kazermën “NewBorn” të FSK-së në Gjilan, u mbajt ceremonia e gradimit të pesë pjesëtarëve të FSK-së, nga radhët e komuniteteve jo shumicë.
Në ceremoni të pranishëm ishin presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, ministri i FSK-së, z. Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneralët: Gëzim Hazrolli, Enver Cikaqi, gjenerali Ralf Hoffmann, drejtori i NALT-it, komandanti i BRSH-së, koloneli Xhevahir Geci, atasheu i Mbrojtjes i SHBA-ve, majori Juan Murillo si dhe oficerë dhe nënoficerë të FSK-së.
Ceremonia filloi me intonimin e himnit të Kosovës. Në fjalën e tij presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, uroi FSK-në për ndërtimin e një force profesionale, gjithë-përfshirëse dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Sot shënojmë gradimin e pesë pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Të gjithë vijnë nga komunitetet jo shumicë, duke e shtuar kështu prezencën e tyre në FSK dhe duke kontribuar në realizimin e aspiratës që kemi për forcën tonë të sigurisë. Pasi kanë kaluar trajnimet dhe testet e parapara, këta pesë pjesëtarë të FSK-së nga sot do të mbajnë gradën e nënoficerit të FKS-së. Trajnimet dhe testet nëpër të cilat kalon çdo pjesëtar i FSK-së janë të përgatitura nga NATO-ja sipas standardeve të saj”.
Presidenti Thaçi, më tej, shtoi se me këtë gradim synohet arritja e profesionalizmit të FSK-së e nivelit të NATO-s. “FSK ka ngritur nivelin e profesionalizmit dhe përgatitjes në shkallën më të lartë. Ka kryer me përgjegjësi, me profesionalizëm dhe pa-anshmëri çdo detyrë që i është dhënë deri tani. FSK-ja është bërë forcë që gëzon besim nga të gjithë qytetarët. Është bërë institucion që kontribuon për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, për jetë të qetë dhe të sigurt të të gjithë qytetarëve. Duke parë këto të arritura të FSK-së, jemi të bindur se kjo forcë është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja, detyra të reja, dhe të kontribuojë për paqen e sigurinë përtej Kosovës”.
Ndërsa ministri i FSK-së, z. Rrustem Berisha, në fjalën e tij, tha: “Ceremonia e sotme më gëzon shumë sepse dëshmon se FSK-ja është bërë forcë e besueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, forcë shumetnike, e hapur për të gjithë dhe në shërbim të të gjithëve”. Ndërsa duke ju drejtuar pjesëtarëve të graduar, ministri Berisha, shtoi se: “Kjo dëshmon se ju si qytetar të shtetit të Kosovës, keni bërë zgjedhjen e duhur kur jeni përcaktuar për të shërbyer në FSK, si strukturë e gjithë qytetarëve pa dallime etnike, race apo gjinie“. Më tej ministri Berisha tha: “Ne jemi përkushtuar për integrimin e qëndrueshëm të komuniteteve në FSK dhe në këtë drejtim jemi duke i shtyrë përpara objektivat tona jo vetëm për integrim, por edhe në avancimin me grada edhe me rangje në strukturën e FSK-së. Këtë po e dëshmojnë edhe qytetarët tanë me vlerësimet e tyre se jemi ndër institucionet më të besueshme në vendin tonë”.
Në fund ministri Berisha duke iu uruar sukses pjesëtarëve të graduar, përfundoi “Do të punojmë në avancimin e shkollave dhe trajnimeve për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, që të arrijnë standardet e parapara në ngritjen profesionale, duke ju mundësuar aftësimin e tyre për marrjen e përgjegjësive më të mëdha që çojnë edhe në avancime dhe gradime të reja”
Më pas presidenti i vendit, z. Hashim Thaçi, ministri Berisha, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, koloneli Xhevahir Geci dhe zëvendësdrejtori i NALT-it, gjenerali Ralf Hoffmann, graduan nënoficerët: Marjan Paunovic, Lubisha Demic, Milosh Periç, Gyner Xhymshiti dhe Xhezair Hasani.
Të gjithë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë të graduar, thanë se ndihen të lumtur që shërbejnë në FSK-së, kurse gradimin e pranuan si privilegj, me çka në të ardhmen do të kontribuojnë më shumë për të dëshmuar besimin ndaj eprorëve të tyre.
Në përcjelljen e ceremonisë pati interesim edhe të përfaqësuesve të mediave.