Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili ndodhet në Stamboll, ka bashkëbiseduar me homologun e tij nga Qipro, George Koumas, e ku ishte i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës turke, Kadir Kardaş, i cili është me prejardhje nga Peja, si dhe me presidentin e klubit Kairat nga Kazakistani, Kairat Boranbayev.
Ai është takuar me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, si dhe me homologët e tij Nihat Ozdemir nga Turqia, Davor Shuker nga Kroacia dhe Elvedin Begiq nga Bosnja e Hercegovina.
Gjatë bashkëbisedimit presidenti Ceferin e përgëzoj presidentin Ademi për punën dhe realizimin e programit dhe projekteve të strategjisë së re të UEFA-s, duke theksuar se FFK-ja është njëra nga federatat e para që i ka realizuar të gjitha projektet.
Po ashtu, Ceferin theksoi se Kosova si anëtarja më e re e UEFA-s gëzon kujdes të veçantë dhe përkrahje në vazhdimësi nga ky asociacion. Ndërkaq, presidenti Ademi e preku edhe temën e ndeshjeve ilegale të klubeve serbe, me ç’rast kërkoj nga UEFA që të respektohet statuti i saj në lidhje me përzierjen e ligave të shteteve tjera në territorin e një anëtari të UEFA-s, siç është tani rasti i Kosovës.
Gjatë këtyre takimeve u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet federatave, e ku presidenti Ademi theksoi se është e nevojshme të krijohet fryma bashkëpunuese nëpërmjet futbollit e përtej politikës edhe me ato shtete të cilat nuk e njohin ende Kosovën.
Po ashtu, presidenti Ademi takoi edhe përgjegjësin e federatave në UEFA, Zoran Lakovic, ku u diskutua për projektet dhe gjendjen e tanishme të federatave.