Presidenti Agim Ademi është pritur nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni me bashkëpunëtorë. Temë qendrore e këtij takimi ishte prezantimi i projektit të stadiumit të Gjilanit, për të cilin do të fillojnë procedurat e prokurimit për ta shndërruar në stadium të kategorisë së 4 të UEFA-s.
Në këtë projekt do të investohen edhe 15 milionë euro. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për investimet e federatës bashkërisht me komunën në regjionin e Gjilanit si dhe riorganizimin e këtij regjioni.
Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe stadiumi i Kikës, punimet e të cilit do të përmbyllen së shpejti, si dhe për klubin dhe shkollën e futbollit të Dobërçanit.
Ademi e Hyseni u dakorduan që në ditët e ardhshme ta nënshkruajnë një memorandum, ku drejtuesit e komunës u treguan të gatshëm që të ofrojnë parcelën dhe infrastrukturën bazike për federatën në mënyrë që bashkërisht të ndërtohen sa më shumë objekte sportive.
Kreu i FFK-së e falënderoi kryetarin Hyseni për gatishmërinë e bashkëpunimit si dhe e përgëzoj atë për projektin e një stadiumi shumë të bukur, të cilin e quajti si perlë të qytetit.
Ademi theksoi se një stadium i tillë i ka munguar derbit të madh të Anamoravës dhe njëherësh derbit më të madh të futbollit kosovar, por edhe në rajon.
I pari i shtëpisë së futbollit kosovar uroi që projekti i stadiumit të qytetit në Gjilan të përfundojë sa më shpejtë dhe kësisoj t’i rikthehet nami dhe tradita e derbit, duke e mbushur stadiumin përplot me tifozët e të dyja skuadrave ‘Skifterat” dhe “Intelektualët”, spektakël i cili ka vite që po i mungon këtij qyteti.
Ademi premtoi që FFK do të ndihmojë dhe do të investojë në komunitetin e futbollit në këtë regjion, i cili do të riorganizohet shumë shpejt. Gjatë këtij takimi presidenti Ademi ishte i shoqëruar nga legjenda e futbollit gjilanas, Muharrem Sahiti dhe administratori i LRF të Gjilanit, Armend Misini. /2LONLINE/