(Vështrim mbi librin me poezi “Posa të ringjallen feniksët” , të autorit Ahmet Osmani, edituar këtyre ditëve nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” )
Naxhije GASHANI
Jeta në sytë e poetit rrjedh ndryshe, ajo ngrihet mbi themelet e një ndjeshmërie të thellë e cila bën që shpirti i tij t’i jetojë ndryshe nga të tjerët ecejaket e saj.
E tëra kjo nuk ishte vënë në dukje sikur mos të ishte poezia, kështjella e artit të fjalës, prej ku ata hedhin shikimet afër e larg, duke ndjerë botën thellësisht, dhe duke shpërfaqur botëkuptimin për të me sy e shpirt e mendje të bërë një. . .
Përmes poezisë portretizohet koha, e cila degëzohet shtigjeve të saj, duke marr forma e emra që do të ngelen të gravuara fushës së artit.
Një nga ata i cili qëndron i lidhur ngushtësisht me poezinë është edhe Ahmet Osmani, një takues muzash poetike, shtigjeve të poezisë.
Përmbledhja poetike e Ahmet Osmanit “Posa të ringjallen feniksët”, bën një portretizim jete prej një këndvështrim poeti, duke parë, udhëtuar e ndjerë hapat e saj nëpër kohë, ndarë në tri pjesë e titulluar me tituj ngjyer ndjeshmërie, lexuesit ia bën të qartë që në fillim se poezitë e këtij libri poetik, do ta mbajnë gjallë kureshtjen e tij, do t’i japin mundësi të njohjes së botës poetike të poetit, Ahmet Osmani, dhe të botëkuptimeve të tij përballë jetës.
Poeti shtrinë shikimin e tij nëpër kohë, sheh jetën tek ecën gjurmëve të së nesërmes, ndofta edhe i bëhet sikur asaj i bie hije kur ikën drejt shtegut të fundit “Hije e rëndë merr jeta / kur këmbët e vdekjes ia shkelin hapësirat ( citoj vargje të poezisë “Trokitjet e reja”), por sërish brenda tij sython shpresa për trokitjet e reja që do të ndihen portave të saj.
Toka, ngelet hallka më e fortë e lidhjes së individit me vetën, ajo qëndron mendjes së tij si diçka e pashkëputshme, edhe nëse të qenurit pjesë e saj nuk ishte e lehtë “U lindëm në tokën ku buka na grabitej në mëngjes / hanim hidhërimin në sofrën e shtruar/ e i lakmonim zogjtë qiellit/ Në tokën ku u lindëm përjetësisht mbetëm ( citoj vargje të poezisë “Toka ku u lindëm”), poezi kjo me një përmbyllje e cila e vë në dukje lidhjen e fortë që ekziston në mes njeriut dhe tokës, në këtë rast të poetit me atdheun.
Tek poezia “Autoportet” përveç shpërfaqjes së anës subjektive të poetit, vargu do të bartë me vete edhe ndërlidhjen e njeriut me truallin, rrënjën që forcohej me një lindje të re në një truall të vjetër “Plepi i tretë i radhës u mboll / e rrënjë lëshoi në truallin Dardan ( citoj vargje të poezisë “Autoportret”).
Udhëtimi i poetit nëpër kohë është një nga elementet që shpërfaqet shpesh brenda këtij vëllimi poetik. Aty sikur ai gjen elemente që do të shërbenin si urë lidhëse me të sotmen, kohë kjo me dhembje që oshëtinë telave të lahutës, duke prekur herë-herë edhe më thellë në themelet e kullave, simbolikë që vargut i jep përveçse ngjyresë emotive edhe një mundësi përmbylljeje mbresëlënëse: “Dhembjet e kohës u shpërfaqen nga strehët që pikonin gjak / Themelet e kullave ua shtonin ngjyrën lulëkuqeve që bulonin para syve tanë/ Petale lulesh hapeshin me këngë lahutash për kohërat që vinin ( citoj vargje të poezisë “Me këngë lahutash”).
Me poezinë “Natë pa hënë”, do të shohim se si mall e lotë rëndojnë shpirtit e syve të poetit. Ai është larg, larg është edhe vëllau i tij i cili fatkeqësisht po numëronte orët e fundme të jetës, përderisa tjetri po lëngonte dhembjeje diku në një copë të botës, larg atdheut : “Sonte ndjeva mall / shumë mall ndjeva për ty/ kjo natë e rëndë rëndon mbi ne të ty”.
E njëjta dhembje vazhdon të bie vargjeve të poezisë “Në shtëpinë prej dheu”, nota elegjiake i pushtojnë vargjet, ku dënesjet prej mallit, lotëve e mungesës sikur nxjerrin avuj prej shpirtit të poetit, ato ngrejnë muranë dhembjeje e cila do t’i shërbejë atij për ta mbajtur të gjallë të vëllanë: “Lulet e kësaj pranvere për mua nuk do të kenë bukuri/ I pikëlluar do t’i mbaj në duar vëlla kur të vij në vizitë /Tërë natën rri zgjuar me fjalët e tua shikimit tënd/ Pusho i qetë në shtëpinë prej dheu”, një përmbyllje sa emocionuese aq edhe artistike.
Dialogu i cili ngrihet arenës së vargut, bën që poezia të komunikojë natyrshëm me lexuesin, poeti di të gjejë fjalët bazë të bisedës me të birin, ai prek gurët plot dhembje që shtrojnë udhët e mërgimit, zemrat e malluara që rrahin nënqiellit të huaj, duke krijuar ndjenjën e një të huaji që vazhdon të trashëgohet nga ai e deri tek i biri: ” Pas sa e sa rrugëtimesh ende rrugëve të botës mbetëm/ Zemrat na u copëzuan e na u shtrydhën për pikë nën këtë qiell/ Ëndrrat na u vodhën a s’di ku mbetën/ Biri im” ( citoj vargje të poezisë “Biri im”).
Dhe prapë mirazhe Atdheu, shpërfaqur para syve të poetit, shtrirë ëndrrave e ndjekur udhëve që bën ai. Prishtina e tij, me kaltërinë e qiellit, me mbrëmjet që bien Gërmisë, me miliona yje që thurin kurora duke thurur emrin e dashur Atdhe: “Për një çast mbylli sytë/ Veten e shoh duke ecur/ Nën qiellin e kaltër të Prishtinës/ E mbrëmjet më gjejnë shtrirë barit të Gërmisë/ Milona e miliona yje/ Kurorën tënde plotë dritë thurin/ Atdhe” ( citoj vargje të poezisë “Për një çast”).
Nē poezitë e poetit, Ahmet Osmani, e djeshmja bēn udhë drejt të sotmes për t’u lidhur më pastaj me të nesërmen, ndarje kohe këto të cilat marrin ngjyrë prej syrit largpamës të poetit, prej muzash poetike tē cilat i hapin shtigjet e frymëzimit prej nga lindin vargje me ngjyrë malli për atdheun, vargje për lirinë, mërgimin e dashurinë, e të gjitha këto të thurura me një varg të stërholluar arti, mbështjellë me art fjale, prani figuracioni e ide letrare që kanë për pikësynim portretizimin e jetës parë nga këndvështrimi poetik i një poeti.