Më 14 korrik 2022, në Prishtinë do të zhvillohet ndeshja sportive ndërmjet KF Llapit nga RKS dhe Buducnost nga MNE. Policia e Kosovës ka hartuar dhe do të zbatojë planin operativ për të ofruar siguri para, gjatë dhe pas ndeshjes sportive.
Policia do të kujdeset që në perimetrin e jashtëm (perimetri i dytë) të stadiumit të ofrojë siguri dhe të kujdeset për mbarëvajtjen dhe lëvizjen e personave në atë perimetër.
Kështu, që nga mëngjesi, më 14 korrik, rrugët që shkojnë drejt stadiumit “Fadil Vokrri” dhe përreth tij do të jenë të bllokuara për qarkullim dhe parkim të veturave, pra, nuk do të lejohet hyrja e veturave nga rruga “Luan Haradinaj” dhe “Fehmi Agani” në drejtim të stadiumit dhe lëvizja apo parkimi përgjatë rrugës përreth stadiumit, kurse veturat zyrtare që lejohen të futen në atë zonë duhet të jenë të pajisura me leje të parkingut dhe do të futen në parkim vetëm nga rruga “Tirana”.
Policia në zbatim të planit operativ do të angazhohet edhe në kontroll më të detajuar të atyre që ia mësyjnë stadiumit dhe nuk do të lejohen gjëra që mund të paraqesin rrezik në situata të tilla si dhe gjëra që janë të ndaluara për hyrje në stadium.
Personat të cilët nuk janë pajisur me bileta, apo të cilët përpiqen të qëndrojnë në afërsi apo përreth stadiumit, sipas planit nuk do të lejohen të qëndrojnë, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithëve. /2LONLINE/