Me rastin e përvjetorit të 25-të të Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka kënaqësinë t’i ftojë të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në ngjarjen e veçantë “Porta e hapur”.
Ky aktivitet do të mbahet më datë 6 Shtator 2024 nga ora: 08:00 deri 16:00 dhe ka për qëllim të promovojë transparencën dhe të forcojë marrëdhëniet mes policisë dhe komunitetit.
Gjatë këtij aktiviteti, qytetarët do të kenë mundësinë të vizitojnë njësitë dhe stacionet policore në rajonin e Gjilanit, të njoftohen me punën dhe përkushtimin e stafit policor, dhe të shohin nga afër pajisjet dhe teknologjitë që përdoren për mbrojtjen e sigurisë publike.
Pjesëmarrësit do të kenë gjithashtu mundësinë të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë me oficerët e policisë në lidhje me sfidat dhe arritjet e tyre.
Ky aktivitet është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar lidhjet mes qytetarëve dhe policisë, duke kontribuar në ndërtimin e një ambienti më të sigurt dhe më të besueshëm për të gjithë. Ne ftojmë çdo qytetar që të marrë pjesë dhe të bëhet pjesë e këtij eventi të rëndësishëm.
Pjesëmarrësit janë të lutur të respektojnë orarin dhe udhëzimet e caktuara për vizita, dhe të kontribuojnë në suksesin e këtij aktiviteti përmes angazhimit dhe interesit të tyre.
Ju presim me kënaqësi që të festojmë së bashku dhe të forcojmë bashkëpunimin tonë të ndërsjellë, thuhet në njoftimin e policisë. /2LONLINE/