Policia e Gjilanit përmes një njoftimi ka bërë me dije edhe njëherë se më 24 mars 2020, ka hy në fuqi urdhëresa e Qeverisë së Kosovës Nr. 130/2020, në bazë të së cilës është caktuar koha dhe limitet e lëvizjes së qytetarëve.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit, si zbatues i ligjit u a përkujton se të gjithë ata persona të cilët nuk e respektojnë dhe bien ndesh me vendimin e lëshuar nga Qeveria e Kosovës lidhur me oraret e cekura në urdhëresë, do të përgjigjen në bazë të:
“Neni 250, të KP, mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë, dhe kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, ata dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”
“Masat e ndërmarra kanë vetëm një qëllim, ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, preventimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 që tani ka marrë përmasa botërore. Policia e Kosovës është e përkushtuar që të punojë dhe veprojë për të mirën e qytetarëve të saj”, ka thënë Hashani.