Nga: Sherafedin KADRIU
POEZIA SI IRONI E NDJESHMËRISË PREKËSE
(Qasje vëllimit poetik “Ende është terrinë”, të Naim Fetajt, e cila u botua para pak kohësh nga Shtëpia botuese BEQIR MUSLIU )
Për herë të parë u takuam në Tavolina poetike e së shtunës, më 10 gusht 2019 në Gjilan. Kishte ardhur në shqyrtimin e librit të tij, ” Më lanë edhe pa këngë “, edituar nga SHB “Beqir Musliu”.
Thash fjalë miradije për librin pse e njihja mirë, sepse e kisha lekturuar atë libër.
U afruam si të njiheshim prej vitesh, se na kish folur për njëri tjetrin qysh më parë, miku i përbashkët, shkrimtari e botuesi gjilanas, Sabit Rrustemi.
Lektura e këtij libri (pa emër), kënaqësia ime. Shkrimi, si larje borxhi një mikut të mirë!
***
Poeti Naim Fetaj, librin e parë me poezi e botoi në vitin 1987, me titull “Yjet bëjnë roje”, Rilindja, Prishtinë. Në vitin 1989, revista letrare “Nëntori” e Tiranës, në numrin e nëntë ia botoi 25 poezi të përzgjedhura nga krijimtaria e tij. Vlerësim i rrallë nga Tirana kulturore e kohës!
Kjo përmbledhje poetike, nga poezitë që la në dorëshkrim, është e gjashta me radhë, dhe e katërta edituar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, në Gjilan. Tri qenë edituar për të gjallë të Naimit sepse ai pati besim në Gjilanin.
Revolta ndaj fenomeneve negative
Poeti Naim Fetaj është ndër poetët e rrallë shqiptarë që i fle mirë atributi – poet i revoltës ironike, dukuri që e përshkon vëllimin e fundit poetik, “Ende është terrinë”. Vetë titulli i librit ka shënjestruar procesin kohor të pasluftës si terrinë që nuk ditka të ikën, apo nuk ditkemi ta largojmë?
Prandaj, ndodh revolta poetike ndaj fenomeneve problemore me theks të veçantë ndaj fenomeneve tronditëse, që i bëjnë vend terrinës në Atdheun e tij. Terrinë e Skëterrë janë e zeza pa tunel drite.
Në këtë kontekst, autori ka të drejtën e botës ta konceptojë si të dojë gjendjen reale, ka të drejtën e Zotit të krijojë siç ndjen e siç do. Sepse vetëm në këtë mënyrë, duke e nxjerrë poezinë prej emocioneve të thella, arrin ta shpërfaqë mesazhin e qartë estetik. Kjo është forca e artit, të cilën poeti di ta shfrytëzojë jashtëzakonisht mirë. Larg mbetet realiteti. Prandaj, kur lexohet poezia e këtij vëllimi poetik, nuk ka pse të mendohen realitete faktike a historike, mjafton e vërteta poetike që marrësi – lexuesi, të ndjejë kënaqësi.
E vërtetë është që realiteti nuk është perceptim, por e vërteta tjetër thotë se në të shfaqen dukuri të ndryshme që vlerësohen nga perceptimi. I ka takuar poetit të vendos nëse vërtetësia apo perceptimi i dukurive negative të transponohet në kuptim poetik, kuptim që del i mbrujtur me mesazhin etik e artistik njëkohësisht: Këtu nuk ka vend për zogj/as për poetë… Çfarë thirrje mbytëse kjo!
E pakundërshtueshme!
Botës sonë të segmentuar iu mbytën dëshirat, ndjenjat e ëndrrat e pritjes nga përmasat e maksimalizuara të së keqes. Prandaj ngrihet poeti në nivel të revoltës, i ndjeshëm e i sinqertë siç është, dhe ironizon.
Ndoshta, poezia përfaqësuese e kësaj dukurie poetike, – revoltës ironike, është “Zogu i zi”. Poezi që të trishton për kuptimin poetik që shpërfaq me atë strategji strukturore, e atë ritëm e muzikalitet rime krejt natyrshëm:
Zog i zi…
……………………………………..
Ta paskan rrjepur qafën si mua
Krahët t’i paskan thy’
Paske gjak mbi vetull
E gjak në sy
Qartë! Mendimet e këtilla poetike nuk kanë si mbyllen ndryshe, pos me një sarkazëm që del nga shpirti i besimtarit, besimtar ndaj Zotit, a besimtar ndaj poezisë:
Zog i zi…
………….
Ik se këndej
Thias ka vra Zoti…
Kësaj thurjeje ironike i përket një numër i madh i poezive, po prandaj edhe qasja jonë u ndal në këtë dukuri poetike.
Poezia Kur ikin zogjtë , mund të jetë vetëm një variant i Zogut të zi, po që ka një përfundim me një nëmë nga loçka e zemrës: Mjerë ajo stinë që pa këngë mbetet.
Nuk bën të mos citohen as dy vargjet e poezisë tjetër të titulluar Ndarja e zezë:
Po kur i lash njerëzit më keq se sa varret
Mes varresh u ula i vajtova të gjallët
Qe pra! Ju lutem, ma gjeni po mundët një ironi më të thekshme se sa ndjetë nga këto vargje. E vështirë shumë.
E ngjashme për ironinë therëse del edhe poezia Kohë e keqe, e cila frymëzohet nga përditshmëria ekzistuese:
Kohë e keqe erdhi
Për qyqe shumë kanë mbetur
E u marrim lakmi atyre që kanë vdekur
T’u marrësh lakmi të vdekurve, nuk bëhet për të tekura, as të tekura poetike. Ka pra një shkak që mund njëqind arsye. E rëndë si ide medoemos. Trishtuese e pikëlluese njëkohësisht. Ndoshta qëndrimi larg Atdheut, më parë si azilant politik, bën poetin ta shohë me sy skeptik më tepër se ç’është në të vërtetë në realitet, atë udhën e kulturimit politik dhe guximit juridik në vendin e tij.
Si elegji për popullin
Tashmë kemi konstatuar se poezia e Naim Fetajt është produkt i revoltës ndaj fenomeneve negative, kurdoherë e kudo të ndodhura. Në raste të tilla, pakënaqësia maksimaliozohet, ndërsa një mllef shumë i madh i mbledhur prej kohësh duhet të zbrazet. Dhe, ku më mirë se në poezi!
Dhe kallëzon poezia Dosja pa numër… (2), siç mund të kallëzojë një plakë e urtë një përrallë të dashur, po që nuk mbaron mirë.
Dita ishte e gjatë…dita ishte shekull
Një popull me vdekjen
Rrugëtonte nëpër mjegull
Ishte populli i poetit që po vritej për çdo ditë, e dita zgjaste sa një shekull. Nuk e di në ishte i fortë, a s’kish ç’bënte, sa ta mbante mbi supe tërë hatanë e fundshekullit njëzet!
Dhe, natyrshëm. Koha ka ecur. Po mbushet një çerek shekulli. Do të ikin edhe shekuj të tjerë. Është proces natyror, me ngjarjen historike të evidentuar si trishtim i paharruar. Ama, kësaj here nuk do të mbahet mend nga mbamendja, por nga historia. E në mos guxoftë të flasë historia, atëherë do të tregojë poezia e Naim Fetajt, e cila ka guxuar që të pësuarat e saj t’i përjetësojë si dhimbje shekulli:
Tutje në terrinë as Zoti s’di çka ndodhi
Kokulura vashave u plasi kraharori
……………………………………………….
Dhe i ndërronin hapat
Mbi të vdekurit pa varre
Stina reshte gjak
Dhe hëna u skuq mbi male
Qe kjo qe hataja që nuk mund të harrohet assesi. Dhe poeti, me të drejtë e theksoi ndjeshëm e dhimbshëm në poezinë e tij. Në këtë poezi dhembja e ka mundur edhe revoltën, edhe ironinë.
Tashmë populli nuk e ka hatanë mbi supe. Atdheu është i lirë, për herë të parë në historinë e tij. Megjithatë, ndodhin gjëra të pakëndshme, të cilat poeti i sheh për çdo ditë, dhe do t’i luftojë patjetër. Lufta e tij është fjala. Fjala e tij është poetika. Dhe lexojmë poetikën e tij: luftën e bënë çlirimtarët. Heronjtë e vdekur dhe ushtarët e gjallë. Në mesin e të gjallëve qenka edhe një veteran ushtar. Nuk e paska marrë vdekja. Ani, mirë shumë. Pse, duhej të vdisnin të gjithë luftëtarët? Edhe nga ta, dikush duhej ta gëzonte lirinë. Dhe mirë që ka ndodhur. Po, çka që në fytyrën e veteranit nuk ka gëzim? Pse ka lot? Hej veteran, hej! E di, ti e deshe më shumë lirinë se gjymtyrët tua që i le në kufijtë e Atdheut. Nëpër istikame, ku ndodheshe, edhe ëndërroje. Si shokët e tu të paktë nëpër istikame edhe më të pakta. Po, edhe ne kemi ëndërruar me ty. Kudo ku ishim Dhe u zhgënjyem pse nuk na doli ëndrra, siç nuk të doli as ty.
Ty të harruan shokët që hipën lart…. prandaj, ti vuan edhe për një thes miell bashkë me gruan e me fëmijët dhe mund të ndodhë të vuash edhe për një varr. Sa i fort je në poezinë e Naimit! Sepse thua ti:
Unë atdheun prapë e dua
Dhe për të sërish zë pritë
Po lirinë e ëndrrës sime
Ma vratë ju për herë të dytë
E rëndë kjo përditshmëri e realitetit objektiv. Kjo gjendje e veteranit. Ky përfundim me këtë poetikë. . .
E kam njohur poetin dhe kam biseduar me të për të qenë i sigurt se Naimi ishte vërtet ironik e i revoltuar tej mase, si njeri, prandaj i tillë del edhe reflektimi poetik i tij. Ai nuk pranon të bëjë kinse, është strellcian e nuk pranon nënshtrimin, e thotë me plot gojë mendimin:
Vetë e vranë nëno vetë e qitën në pritë
Flasin e përjargen
E vrasin për herë të dytë
Poeti vuan bashkë me personazhet e tija lirike. I tillë është shpirti i tij. Ndjen! Ndjen për një epokë që po ndërrohej, atje në Koshare. I gëzohet medoemos. Por, atje bien trimat! Bien heronjtë e ardhshëm të Kosovës. Ata që ditën për dritë i zënë vendin diellit dhe bëhen vetë diell. Po kush tjetër qenka dielli i Kosovës, veç Salih Çekut?
Sepse:
Ai është sa krejt lisat që janë mbi Koshare
Është dita jonë e re nata jonë e madhe
Aty ku ra ai qielli e puthë tokën
Me këngë e me krisma tek ndërronte epokën
(…E ditën bëhet diell…)
Interpretime …
Disa kuptime poetike në këto poezi duhet interpretuar me kujdes të madh pse mundësitë për keqkuptime dalin mu nga ndërtimi i kuptimit poetik. Shumë të paktë janë ata që thonë se në Kosovë është krejt mirë. Fjalë politikanësh, e oligarkësh. Për poetin është e kundërta, bile e kundërta deri në skajshmëri:.
As tek Maja e Strellcit
Zogjtë nuk bëjnë më lojë
Dënes Guri i Nuses
Thua i ka shtatë gojë
(Si psalm për zogjtë)
Kështu duket në shikim të parë… po nuk është krejt kështu. Njëmend që poeti nuk kënaqet me të arriturat në Kosovë, por ai nuk gabon… është intelektual i furtunave edhe më të vështira, e i ka përballuar guximshëm.
Dhe ja, ky është kuptimi më i mirë i këtij fenomeni jo real, po artistik që zbërthehet nga tri vargjet e fundit të poezisë:
Edhe dallëndyshet sivjet rrallë po vijnë
Thua u bënë qyqe
Përmbi Ukrainë
(Si psalm për zogjtë)
Qasja jonë për një stil të këtillë veçorish ideoartistike të përpunuara, si dhe mjete e mënyrash interesante të shprehjes, do të mbetet vetëm njëra nga këndet e vlerësimit. Pajtohemi me faktin se ka qasje e qasje prej nga mund të interpretohet poezia jo vetëm e këtij poeti. Sepse ka kuptime e kuptime të cilat i bart një poezi moderne. E poezia e Naim Fetajt është poezi moderne me mbisundim të mesazhit estetik. /2LONLINE/