Hysen KËQIKU
(katër poezi)
RRMOK
Filloje si të duash
Po e mbshtolle shumë
Do të të bëhet rrmok
Të shkakton huti pandjesie
Në hapin pa rrapëllimë
Edhe mbetesh tek
Aty të kap lemza
Lemzisht mendon dike
Tretur në ëndërr mëngjesi
Hapi të bëhet problem
Në hullitë fshirë nga era
Kur në dimër nuk të vjen vera
Lype si të duash
Me gjuhë dordoleci
Tok me kërrcëllima dhëmbësh
Edhe shikimi të vjen pas
Kur ke dëshirë të shohësh përpara
Kollitja të bën zhurmë
Filloje si të duash
Po e mbshtolle shumë
Do të të bëhet rrmok
MISTIKË
Çka je ti që më vjen
mbshtjellur
kaq mbshtjellur
sikur të jem pa shpirt
Mos u mbështill
me avullnajë
të më lëvizësh si natëzeza
para syve të të mos shoh
O frymë që më vjen
Tinzisht e mjerisht
me shpirt njeriu jam
kam dhimbje
etje për shmallje
bëhu me shpirt
njeri me zemër
eja i bardhë
me bardhësi
drite
Nëse më vjen ashtu
me të zeza
çka fsheh
çka ruan
mbrenda të zezës
Mistikë
në mungesë të fjalëve
po i vëj tri pikë
eja, shikom, mos ik
HARBUESE
Si të të quaj
Kur nuk dukesh
Nuk ke as formë
Më vjen kalavesh rrushi
Ngarkuar me të bëma
Misterioze
e unë krejt i di
sa peshojnë
sa janë të idhëta
e sa më pak të ëmbla
Fshehur nëpër çoshe
strukur tmerrësisht
numrojnë të rrahurat e zemrës
diku maje gishtave
Kanë frikë nga errësira
ajo fshehë e strehon
harbim
Dielli ka rrugë të gjatë
ecë
megjithatë ec
Rrezet e tij
depërtojnë larg e thellë
edhe përtej reve
përtej acareve
Bëhu i devotshëm
të përthekohesh
Para se të harbimit
MBETUR JAM
Mbetur jam
në varg që po lind
në strofë
në rrokje
në ëndërr të ecjes
fshehtësive të dritës
edhe në kapërcim andej
në hulli të pahapur
serrnishtave gjembmprehta
të korrjes në përcëllimë vere
përtej therës së fshehur
në strukajën e metaforës
edhe në nëmën e komponuar
në shtigjet e daljes
bashkë me ty shtegëtar
me mallë ngarkuar
në zemër që troket
për teke e huçe
për dorën që shtrëngon dorë
mbetur jam
në varg që po lind
në strofë
në rrokje