(Për poezitë e Ganimet Klaiqit, publikuar në revistën letrare – kulturore NOSITI, nr. 12)
Në revistën letrare – kulturore “Nositi” (2017) nr. 12, janë vetëm 16 poezi të Ganimet Klaiqit, të cilat shpërfaqin dimensionin poetik të autorit. Është një vokacion, që lë të nënkuptohet se pena e tij ka lënë dhe të tjera krijime në dorëshkrim. Ndryshe, nuk arsyetohet shtresëzimi i thelluar kuptimor e artistik i vargut të tij, ajo yndyrë njerëzore e kallëzuar në shkrimet dhe rrëfimet e atyre që e kanë takuar edhe vetëm njëherë në jetën e tyre.
Nga: Sherafedin Kadriu
Të shkruash për 16 poezi të një poeti që njihet në radhë të parë si gazetar, pa përjashtuar angazhimin e tij atdhetar qysh nga gjimnazi – nuk e bëjmë për zakonin: të flasim mirë për atë që ka ikur në përjetësi (kështu mund të mendohej po ta njihja personalisht Ganimetin), por pse ato pak poezi kanë vlera të mirëfillta artistike. Qasja jonë nuk është e tipit të kallëzimit sesa ne e njohim të menduarit kritik artistik, thënë drejt, s’ka të bëjë me grafomaninë, se edhe ashtu shkruajmë rrallë.
Qasja jonë është motivuar vetëm nga vlera artistike e gjashtëmbëdhjetë poezive, të cilat shpërfaqin tematikë të ndryshme, motivuar në kohë të ndryshme dhe në situata çasti. Si të tilla, poezitë e Ganimetit janë të kompozuara semantikisht si shprehje deklarative. Por, ç’është e vërteta, deklarativja më shumë del si pohim sesa si ekzistuese. Kur del si pohim, zakonisht shoqërohet me ironinë që pohon larg e larg:
e u thash PO
kështu si jam
jam tendencioz deklarativ e i çastit
se kur bie shi – njeriu LAGET. (Bisedë për poezinë)
Përgjigjja pohuese me tone nervozizmi është ekonomizuar si jeta e shkurtër në një ekonomi të tronditur. Përndryshe, shtresëzimi semantik sillet jo si koncept, por si kontekst. Një dëshmi se e krijonte poezinë në çast, se shkruante vetëm kur motivohej, dhe jo si detyrë që mund t’i japë vetes për të shkruar për arsye nga më të ndryshmet.
Duke trajtuar poezinë në poezi, poeti nuk mund të mos flasë edhe për ata që e krijojnë atë, për poetët pra. Kush janë ata? Si janë në aspektin krijues? Pse janë aso çfarë janë? E, sipas Ganimetit poetët janë nga pakëz “të çmendur”, se janë të pangopshëm, se janë plot mungesa krahasimesh. “Të çmendur” dhe të mëdhenj njëkohësisht sepse në rrafshin emocional nuk kanë kufi ndaljeje.
Një motiv i pakapërcyeshëm për poetët mbetet trajtimi i motivit të lindjes dhe ai i vdekjes, të cilin e gjejmë edhe në poezinë e Ganimetit. Motivi i lindjes medoemos shoqërohet me të renë, të njomën, të hajthmen. Sa herë ndodh lindja, fshehurazi/tingëllon një melodi/ një lahutë/dëgjohet nga dritarja e kullës/një këngë.
Ky është gëzimi pa pushkë. Pushka le të pres e varur. Ajo është vetëm për djajtë. Vetëm për ta të ruhet, se nuk i dihet, vjen një ditë e vakti e ha kashtën. E vaktet kanë qenë së paku bezdisëse e së shumti tronditëse, kanë qenë bredhje koti fushëlojës jetë, ndonjëherë pa e ditur kuptimin e ëndrrës, – do të shprehet poeti. Po, lindja është morti vetë. Dy skaje që i lidh vetëm jeta, prej nga një antitezë e strukturuar për dy procese a fenomene në përballje, individi me kolektivitetin:
Kur lind foshnja – njeriu
………………………………..
të tjerët qeshin e urojnë,
Qan vetëm foshnja
Kur vdes njeriu
………………………
Të tjerët qajnë e rënkojnë
I qetë është vetëm i vdekuri (Njeriu)
Për poetin nuk është me rëndësi kush lindet dhe kush vdes si emër i përveçëm. Për të, ka rëndësi qartësia që mbetet e dëshiruar: gëzimi kolektiv dhe qarja individuale në njërën anë, apo qarja kolektive e qetësia individuale në anën tjetër. Pyetja në është më e mirë lindja a vdekja, nuk është ndërdyjë, sa është puqje e dy koncepteve në një pikë: aty ku ndahen në mos bashkohen, se jeta është thjeshtë çfarë percepton truri, ndërsa vdekja mospajtim me fundin e jetës.
Një tjetër qasje emotive e poetit është trajtimi ndryshe i krijimtarisë popullore. Kështu, legjendat kallëzohen thjeshtë, pa u veshur me mitin, zbërthehen edhe më thjeshtë me pak fjalë në këtë kohë të ngutshme, se askush s’ka kohë të presë. Të gjithë nguten pa qëllim. Në Urën e Shenjtë/nusja-nënë me gjirin e shpalosur/ushqen fëmijën, me dorën në litar përkund djepin. Ura është e kalueshme. Nuk ka pikë.
Mungesa e saj shpalos pafundësinë, pambarimin, vazhdimësinë e legjendës dhe jetës reale njëkohësisht. Legjenda tjetër, Te Guri i Bardhë i Kikës, edhe si toponim legjende, edhe si ngjyrë, shpërfaq forcën morale të femrës së kësaj ane. Aty, takimi i dy palë krushqve përgjak rrugët, aty, nuset gurëzohen pa lindur fëmijë për gji. Aty, mungon ura a kalaja e ngritur dhe e prishur njëkohësisht.
Me motiv atdhedashurie është poezia Kthimi i eshtrave të tokës, (kushtuar Jusufit, Kadriut e Bardhoshit). Fjalia përkushtuese-sqaruese është ndërkallur brenda parantezave: Jusufi prin, Kadriu në mes, nuk ndahet me presje, i shoqëron te dy Bardhi. Ky rreshtim nuk mund të bëhej ndryshe, se do të prishte rregullin e mësuar nga atdhetarët.
Kadriu qe bërë vëllai i mesëm i Gërvallajve atëherë kur koha matej me hije, e dielli nuk dilte nga porta e tij. Ata ishin të vetëdijshëm se ndiqeshin nga një shtet i tërë. Dhe ndodhi atentati. Ndodhi rënia e tyre. Ndodhi pa lot, në trajtë guximi, ashtu siç e kishin konceptuar vetë veprimtarët e çështjes: ne kemi mish për korbat siç kemi eshtra për tokë. Pas rënies qëndruan për vite të tëra në varret e marra me qira. Po, një ditë u kthyen si eshtra, së bashku medoemos, po për t’u ndarë vetëm fizikisht … I ndjerë keq nga një veprim i tillë, poeti ka mbyllur poezinë siç mbyllet një ese klasik – me një fjali gozhduese: Asgjë më s’është larg për t’u kuptuar/Pos lartësive.
Ndarjet gjithmonë janë të rënda, emocionale, trishtuese, po shpeshherë në thellësinë e tyre ruajnë shpresën për takimin, për bashkimin. Në historinë e shqiptarëve një është ndarja e madhe, me fajin e të tjerëve a fajin tonë të përbashkët. Njëqind vjet ndarje. Njëqind vjet larg takimit, njëqind vjet larg përqafimit andej e këndej Bjeshkëve të Nemuna. Ndërsa, gjakimi për të drejtën është shkallmues. Është i zorshëm. Pse e drejta nuk ka një fytyrë, ajo shfaqet në dy-tri trajta së paku. Ndoshta kështu mund të ketë arsyetuar poeti, për t’u pajtuar që më mirë do të ishte që gjatë takimit vetëm t’i rrëfejmë njëri tjetrit të panjohurën, më mirë do të ishte që të shpalosim tërë vrazhdësinë e botës së mykur. Mjafton të mos ngacmohemi për trurin e shpuar, se njihemi vetëm nga larg…
Njerëzorja e Ganimet Klaiqit shfaqet në poezinë Lidhëza motesh. Në të ka strukturuar dashamirësin e lirisë, të bërë copë në shkëmbinj/Të Kosharës/Majë Lybotenit/A Grykës së Konçulit, duke shikuar vijëzime hartash që vriten me kohën. E ka thjeshtëzuar dhe e ka zvogëluar atributin, jo për veprimin, po për qëndrimin harrestar ndaj vetes. Dashamirësi i lirisë nuk ishte kushdo, një i rastit, i gjendur në kohën e duhur, në vendin e duhur. Përkundrazi, ai dhe të tillët si ai, nëpër breza qenë joshur për jetesë kalorësiake, për t’i sjellë ditë të bardha vendit të tyre. Ndërsa, përfundimi i poezisë me vargun Zoti na i faltë mëkatet, të sjellë nëpër mend së paku gojështhururit pas fitores, në emër të së cilës (fitores) përgjërohet poeti.
Një motiv i dramatizuar në varg, që në shikim të parë lë përshtypjen për kritikë një vesi individual – dembelisë, në të vërtetë i atribuohet kolektivit të tij – popullit. Historikisht e fatkeqësisht kur mëkëmbet pas rrëzimit, nuk drejtohet për të ecur, por i bën analizë shkallëve. Një filozofi e pëlqyer për të gjetur fajin tek të tjerët, se vetja është e pagabueshme! Një vazhdimësi që nuk ndërpritet dot, as sot.
Duke qenë gazetar (Koha Ditore), Ganimeti qe më afër ecjeve dhe ngecjeve shoqërore, shkaqeve dhe arsyeve monotone. Prandaj, natyrshëm që ka reflektuar për to. Se a puqen refleksionet në gazetari me ato në krijimtari, për vështruesin nuk është me rëndësi. Interpretuesi vëzhgon poezinë, shpërfaqjen e shpirtit poetik që e kanë zaptuar derte të mëdha: një herë vijat e kuqe, e herën tjetër i implikuar me hartat gjeografike të atdheut që mungon në varg, po me shprehje të ekonomizuar se ekonomizim në poezi do të thotë mungesë e kuptuar, një shprehje poetike e llojit të vet që kontekstualizohet pa u shpërbërë semantika e vargut të Ganimetit.
E këqyrë si udhëtim, duket qartë se poezia e këtij autori nuk paska ecur monopateve të pashkelura, së paku andej nga nuk ka bërë udhë poeti. Paska marrë përvojën e ndalesave të kohës, doemos ndalesave Të përballueshme, sa herë udhëtimi i tij do të ketë pushuar ndonjëherë, para se të ikte në përjetësi.
Morfologjia e strukturuar në këto 16 poezi, ekonomizimi i shprehjeve, përkushtimi ndaj tyre, motivimi për tema të caktuara dhe dija për vlerësimin teorik, na shtyjnë të mendojmë se Ganimeti nuk do të ketë edhe shumë të tjera në dorëshkrim, të përpunuara medoemos.
Këto karakteristika dhe gjuha e përzgjedhur me mjeshtri artisti rrjedhin me një ritëm të lehtë pa u penguar nga ndonjë shenjë pikësimi. Tamam një melodi pianoje, as e ngadalshme, as e shpejtë. Si duket këtë natyrshmëri rrjedhe e ndihmojnë vargjet paksa prozaike, të thyer në shenjat gjuhësore mungesore, ose fillesat e bashkërenditura o të nënrenditura. Ndërsa, vetë strukturimi i tipit ese ndonjëherë, ka ndikuar në përmbyllje moralizuese.
Si përfundim do të thoshim se po të mos lexoje Ganimetin, e pakta do të mbeteshe pa një yndyrë njeriu, pa një guxim e pa një drithërimë dashurie që lind në çastin kur priten shikimet, e t’i skuqë mollëzat e fytyrës – që është akti i parë i poezisë së titulluar Ëndërr e papërfunduar. Akti i dytë ndodh kur puqen buzët e bashkohen gjokset në zjarrmi, ndërsa akti i tretë: kur ndizen zemrat e nuk dihet për jetën a vdekjen. Kjo “dramë” në tri akte përmbyllet me një tip epilogu prozator që i paraprin dashurisë, e cila ndahet a ndan njeriun poet nga e dashura e tij. Ndarja e konceptuar si një ëndërr e papërfunduar, shfaq si lajtmotiv ikjen e njëanshme të poetit, ikjen në përjetësi.
/Ky vështrim u lexua me rastin e përurimit të numrit të 12-të të revistës letrare – kulturore, NOSITI, numër që i përkushtohet poetit e gazetarit tashmë të ndjerë, Ganimet Klaiqit, i cili ishte një veprimtar i dalluar i jetës kulturore dhe asaj atdhetare para dhe pas luftës në Kosovë/