Mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Jonuz Musliut

Mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Jonuz Musliut

Mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Jonuz Musliut

Të dashur familjarë, shokë dhe miq të Jonuz Musliut

Në këtë moment të dhimbshëm më lejoni që në emrin tim, të familjes sime dhe të bashkëkombësve të mi në Republikën e Kosovës t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e bashkëshortit dhe babait të dashur,nëpërmjet jush politikanëve për humbjen e kolegut të tyre të vyer, gjithë bashkëqytetarëve të tij në Kosovën Lindore për humbjen e një udhëheqësi vizionar. Edhe pse në epiqendër të jetës së tij ishte Atdheu, ai kurrë nuk e la anash familjen e tij. Ai ishte bashkëshort i dashur dhe i përkushtuar, baba i kujdesshëm dhe i angazhuar dhe vëlla i mirë.

Përcjellja e dhimbjes që ndjen secili prej nesh për ndarjen e parakohshme nga shoku i ilegales, shoku i qelisë së burgut, nga kolegu i punës, nga fqinji, nga qytetari i dhe aktivisti i pa kompromis për pavarësinë e Kosovës dhe viseve të saja!

Dashuria e Jonuzit për vendin e tij,ishte dashuri për njerëzit,pavarësisht nga përkatësia sociale, politike e fetare.

Kjo bëri që Jonuzi të angazhohej për ta,për të drejtat e tyre politike e sociale për mirëqenie,për drejtësi dhe për barazi.

Ai u respektua dhe vlerësua edhe nga ata që mund t`i kishte kundërshtar politik.
Jonuzi,nuk vrapoi asnjëherë pas posteve,pas karrierës,nuk kërkoi asnjëherë privilegje,nuk u ankua asnjëherë për fatin e tij personal. Nuk dinte të ankohej,dinte të jepte,por nuk dinte të merrte.

Nuk e di cilit prej jush nuk do t’i dridhej sot buza, po të detyrohet të flas për këtë njeri kaq të mrekullueshëm! E le ma mua, që më duhet t’i belbëzoj këto fjali për mikun më të shtrenjtë, i cili na la mu atëherë kur pritnim më së shumti prej tij.

Jonuzi, vuri në dispozicion idealet e tij për t’i shërbyer popullit, lirive njerëzore, demokracisë, bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit dhe gjithë arsenalin e tij shpirtëror dhe intelektual.

Si një politikan vizionar ai përdori me mjeshtri dialogun dhe diplomacinë edhe në momentet kur paqja dukej më e pashpresë se kurrë.

Kujtimi për ty Jonuz,për sakrificat tua,për vuajtjet në burgjet e Serbisë,për angazhimin tënd politik,të lënë të pranishëm përjetësisht në zemrat tona për çlirim dhe bashkim kombëtar do të vazhdojë deri në fund.

Ti e deshe lirinë, e deshe vendin të zhvilluar ekonomikisht, të përparuar.

Ne të gjithë shpresonim që ti do të jesh e ardhmja e ndritur në Kosovën Lindore, shumëkush nga ne,në mendimet e veta po edhe në përgjegjësitë që bartnim, thurnim plane se ku dhe si do të shfrytëzonim më mirë zellin e tij udhëheqës, aftësitë e tij drejtuese dhe kapacitetet e tija shpirtërore.

Ti e deshe Shqipërinë, ti i deshe shqiptarët të bashkuar dhe ti kontribuove deri në frymën e fundit të jetës tënde për ta.

Ti e mbarove obligimin tënd.

Jonuzi, sot po ndahet fizikisht nga ne,por vdekja jote nuk është fjala e fundit!

Ne, shokët e tu,miqtë, familjarët, do ta vazhdojmë aty ku e ke lënë ti.

Shembulli yt i sakrificës, shembulli yt i angazhimit do të jetë frymëzim në rrugën tonë.

Me ikjen e tij,do të na mungojë të gjithëve,por ai lë pas një shembull dhe eksperiencë që do ta bëjnë të jetë gjithmonë i pranishëm mes nesh.

Ndajmë me ju dhimbjen dhe hidhërimin e madh.

Qoftë i lehtë dheu i Kosovës Lindore, që ti e deshe aq shumë mbi trupin tënd.

Me respekt për Ju;
Isuf Bajrami

Jonuz Musliu

 

KOMENTE