Lidhur me aksidentin e ndodhur me 28.4.2018 në rrugën magjistrale Hani i Elezit-Kaçanik, tek vendi i quajtur ‘Kulla me qeshmë’, ku një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës, në të cilën ndodheshin dy zyrtarë policorë, për shkaqe ende të panjohura ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc, nga të gjitha institucionet dhe njësitet prezentë ende për të pestën (5) ditë me radhë po vazhdojnë angazhimet intensive drejt kërkimit të dy zyrtarëve policorë.
Siç është bërë e ditur deri më tani, në vendin e ngjarjes janë angazhuar menjëherë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe koordinimin, bashkëpunimin dhe angazhimin e menjëhershëm me të gjitha institucionet tjera përgjegjëse, si: Prokuroria, AME-ja, njësitet e FSK-së, njësite të ndryshme të kërkim-shpëtimit, ekipe të zhytësve, KFOR-i, si dhe zyrtarë policorë vullnetarë, ekipe të ndryshme vullnetare, zhytës, alpinistë, qytetarë etj., të cilët me përkushtimin më të madh, të pakursyer, për ditë me radhë, janë vënë në kërkim të kolegëve tanë, ku gjetja e tyre mbetet si qëllimi primar i yni.
Në kuadër të angazhimeve dhe planifikimeve të vazhdueshme, në interes të kërkimit dhe gjetjes së kolegëve tanë, sot (02.05.2018) rreth orës 16:00 Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe akterët relevantë, në dy hidrocentrale të rajonit të Ferizajt do të bëjnë ndërprerjen dhe orientimin e rrjedhjes së ujit drejt kanaleve të ujitjes në disa fshatra të rajonit të Kaçanikut, me qëllim të uljes/zvogëlimit të nivelit të ujit drejt lumit Lepenc, në mënyrë që të lehtësohet kërkimi i dy zyrtarëve policorë.
Fshatrat e rajonit të Kaçanikut nëpër të cilat pritet të kalojë uji në kanalet e ujitjes janë: fshati Doganaj, Sopanicë, Tushaj, Dubravë dhe Nikaj.
Përmes këtij njoftimi zyrtar dëshirojmë t’i lajmërojmë të gjithë banorët e këtyre fshatrave që të jenë të njoftuar mbi fillimin e qarkullimit të ujit në kanalet e ujitjes dhe njëherit të kenë kujdes të shtuar rreth qarkullimit të banorëve, në veçanti fëmijëve dhe mjeteve të transportit rrugor në afërsi të tyre.
Njëkohësisht i falënderojmë të gjitha institucionet, njësitet, qytetarët dhe zyrtarët policorë që janë duke vazhduar me angazhimin e palodhshëm drejt kërkimit të dy zyrtarëve policorë, si dhe njëherit kërkojmë mirëkuptimin e banorëve të fshatrave të lartpërmendura.