Një Vetëvendosje e madhe nuk do t`i konvenonte Kadri Veselit në koalicion, por një Vetëvendosje e reduktuar, nuk i prish punë atij dhe as të tjerëve. Remi, kumbara i koalicioneve, me urimin që ia bëri Kurtit, paralajmëroi koalicionin e ardhshëm. Kush do të viktimizohet, Pacolli apo Haradinaj, mbetet të shihet.
Shkruan: Xhylije Ibrahimi
Kumbara i koalicioneve në Kosovë, është komandant Remi (Rrustem Mustafa). Sa herë ka paralajmëruar ai diçka rreth koalicioneve, që në fillim është dukur e pamundshme, ka ndodhur disa javë ose disa muaj më vonë. Një sinjal të vogël e dha këto ditë edhe në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje, kur e uroi Albin Kurtin për zgjedhjen e tij kryetar.
Jemi gjallë e shohim që as Lëvizja Vetëvendosje nuk do të shpëtojë pa u bërë pjesë e lojës, pjesë e ekipeve që kanë keqqeverisur me Kosovën në këto vite, që pastaj të mos ketë asnjë që mund ta drejtojë gishtin tek të tjerët për fajësi. “Të gjithë kemi qenë bashkë”, do të thonë.
Një argument tjetër që e arsyeton parashikimi tim, është edhe zhvillimi i fundit në Lëvizjen Vetëvendosje, që rezultoi me një reduktim të ndjeshëm të këtij subjekti. Tashmë, as Vetëvendosje nuk është subjekti më i madh në Parlamentin e Kosovës. E tillë siç ishte, një fuqi e madhe numerike, nuk do ta merrnin në koalicion subjektet tjera. Tani, aq sa ka mbetur, nuk i prish punë askujt që ta marrë në qeverisje. Jam e sigurtse koalicioni do të ndodh, me ose pa zgjedhje.
Nuk i shoh të rastësishme as kritikat e Enver Hoxhajt në drejtim të Ministrisë së Jashtme, që drejtohet nga partneri i vogël, AKR e Behgjet Pacollit, i cili shfrytëzoi rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve të fundit, për të marrë hisen e madhe në koalicion. AKR tashmë është një subjekt minor në Parlamentin e Kosovës, por me shumë poste ministrore dhe të mira tjera.
Se cilin do ta viktimizojë Kadri Veseli, shefi i madh, për një koalicion me Vetëvendosjen, Behgjet Pacollin apo edhe Ramush Haradinajn, mbetet të shihet ditëve të ardhshme, por diçka pritet të ndodh. Sinjalet e para tashmë janë të qarta.
Haradinaj e ka problem t`i bie pishman demarkacionit dhe kjo mund ta kthejë në një kurban të ardhshëm politik, ndërsa Pacolli, i cili njihet për premtime të mëdha, nuk ka arritur ta afirmojë aspak diplomacinë kosovare, përkundrazi ka dështuar të aplikojë për anëtarësim në UNESCO dhe organizata tjera ndërkombëtare. Njohjet e reja mungojnë.
Kumbara nuk e ka dërguar “për hairin” në adresë të Albinit, kot së koti. Presim e shohim bashkë!
(Autorja është master për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare)