Një vjet nga inicimi i marrëveshjes me Federatën e Xhudos, në kuadër të programit “Kosova, shtet i xhudos”, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës përfunduan me sukses trajnimin në këtë sport, me udhëheqjen e krye trajnerit Driton Kuka dhe xhudistëve elitarë të Kosovës, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në trajnim pjesëtarët e FSK-së kanë përvetësuar aftësitë e vetëmbrojtjes, teknikave të xhudos dhe luftës së afërt.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Ministri Maqedonci u shpreh se certifikimi i grupit të parë është moment historik, i jashtëzakonshëm, që mishëron frymën e unitetit, përkushtimit dhe vizionit të përbashkët për rritjen e shtetit tonë. /2LONLINE/