Është nënshkruar sot marrëveshja e përbashkët për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të ujësjellësit për pesë fshatra të komunë së Vitisë.
Këtë marrëveshje e nënshkruan Sokol Haliti,kryetar i komunës së Vitisë dhe Ymer Salihu kryeshef ekzekutiv i Kompanisë “Hidromorava” .
Në bazë të kësaj marrëveshje, fshatrat Sadovinë e Jerlive, Sadovinë e Çerkezëve, Sllatinë e Epërme, Sllatinë e Poshtme dhe Tërsteniku, kalojnë nën menaxhimin e kompanisë “Hidromorava”.
Kryetari Haliti, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e këshillave të këtyre fshatrave, u shpreh se mbikëqyrja e rrjeteve të ujësjellësit do të jetë më e sigurt, si në kontrollimin e ujit në aspektin e cilësisë dhe pastërtisë, po ashtu edhe në evitimin e defekteve dhe problemeve që mund të shkaktohen.
Ai gjithashtu ka falënderuar menaxhmentin e Kompanisë së ujërave “Hidromorava”, e posaçërisht kryetarët e këshillave të fshatrave, që kanë qenë ekspeditiv dhe të përkushtuar për të ardhur deri tek kjo marrëveshje që sot e nënshkruan.
Në takim u shqyrtua edhe mundësia për inicimin e procedurave ligjore për vazhdimin e përfshirjes për hyrje nën menaxhim të kompanisë “Hidromorava” edhe të fshatrave Zhiti, mandej Stubëll, Vërban, Goshicë, Skifteraj etj. /2LONLINE/