Shtatë persona janë konfirmuar të vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë shpallur të zhdukur pas përmbysjes së një barke në Ugandë të Afrikës.
Në barkën e përmbysur ndodheshin më shumë se 50 futbollistë dhe tifozë të futbollit nga rajoni perëndimor i Ugandës, Hoima.
Dëshmitarët thanë se mbingarkesa dhe moti i lig mund të kenë ndikuar në këtë aksident, ndërsa ekipet e shpëtimit po i vazhdojnë kërkimet për t’i gjetur personat e zhdukur.
Udhëtarët ishin duke shkuar në Runga, ku ishte planifikuar zhvillimi i një ndeshjeje miqësore. Raportohet se barka u përmbys pak kohë pas nisjes së lundrimit.