Me mbrëmjen finale të festivalit të këngëve dhe valleve burimore shqipe, është përmbyllur mbrëmë edicioni i 23-të, i Manifestimit Kulturor e Sportiv “Flakadani i Karadakut 2024″.
Nga 24 deri 26 marsi në Viti, nën organizimin e komunës së Vitisë, konkretisht të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, janë zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive.
Për gjatë këtyre ditëve, janë zhvilluar gara dhe aktivitete të tjera, ndërkohë që përmbyllja e këtij manifestimi u bë me ditën finale të festivalit.
Juria profesionale e festivalit mbarëkombëtar, ka ndarë çmimet për shoqëritë dhe ansamblet, sikur edhe për orkestrën, kostumografinë, solistët, instrumentistët etj.
Vendi i parë i edicionit të sivjetmë, i takoi Ansamblit “Tirana” nga Tirana, vendi i dytë AKV “Bajram Curri”, kurse të tretin AKV “Deçani”. Çmimi special i festivalit iu dha SHKA “Ïliria”nga Gjermania, e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë e veprojnë atje.
Gjithashtu në kuadër të këtij manifestimi gjatë këtyre ditëve janë mbajtur edhe aktivitet të ndryshme sportive me karakter garues.
Me këtë rast kampion i garës në gjimnastradë u bë “Xheni” Gjimnastikë-Tiranë.
Ndërkaq në garat e basketbollit për junior fitues i çmimit special u bë KB Illyrian, e në garat e shahut fitoi Muhamet Asllani. /2LONLINE/