Përfaqësues të KFOR-it turk në Gjilan, përveç kryerjes se detyrave që janë në domenin e përgjegjësisë së tyre, në zonën e tyre të veprimit e që janë: komuna e Gjilanit dhe e Parteshit, ata po e shpërfaqin edhe shpirtin e tyre fisnik e human duke u angazhuar edhe në aktivitete të karakterit human, duke iu gjetur pran familjeve skamnore, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Veçmas në shprehje kanë ardhur në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, ku me ndihmat e tyre, në ushqim, gjërat elementare, por edhe në veshmbathje, kanë qenë të fokusuar në familjet që vërtetë kanë nevojë për ndihmë, por edhe kategori të ndryshme shoqërore dhe janë ndihmuar pa dallim të gjitha komunitetet.
Drejtues të Ekipit Monitorues të KFOR-it turk, Komandanti i LMT, major Oral Ates ka bërë me dije se përgjatë këtij muaji kanë ndihmuar, deri më tani, rreth 200 familje me pako ushqimore, e të cilat përmbanin gjërat elementare, por ndihma janë dhuruar edhe me veshmbathje për më se 70 familje.
Edhe majori Ates, por edhe zëvendëskomandanti, Selami Kutbay ndihen të lumtur dhe të emocionuar për mundësinë që po u jepet për të ndihmuar të tjerët, por edhe janë shprehur tejet të lumtur me mikpritjen dhe mirënjohjen që po e marrin nga këto familje të cilat po ndihmohen, , transmeton 2LONLINE.com.
Sipas përfaqësuesve të KFOR-it turk në Gjilan, ndihmat sigurohen nga përfaqësia qendrore e KFOR-it turk në Prizren, ndërsa bashkëpunimi është i shkëlqyer me institucione, por edhe me individë, përgjegjës të fshatrave, përmes të cilëve po gjenden familjet skamnore që vërtetë kanë nevojë për ndihmë dhe po ndihmohen me pako ushqimore dhe veshmbathje.
Mësohet se deri më tani janë diku 41 fshatra, të cilat janë vizituar nga ekipi i KFOR-it turk dhe aty janë ndihmuar familjet në nevojë, dhe se aksioni i tillë për shpërndarje të pakove ushqimore do të vazhdojë akoma. /2LONLINE/