Bizneset që operojnë në industrinë HORECA, përkatësisht hotelet, restaurantet, dhe kafiteritë, kanë qenë dukshëm ndër më të prekurat nga ndikimi i pandemisë COVID-19 dhe vendimet përkatëse për parandalim të përhapjes së saj.
Rënia e qarkullimit të të hyrave, si dhe rritja e pasigurisë së konsumatorëve në produktet dhe shërbimet e luksit që ofrohen nga ky sektor kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në këtë industri.
Në forumin virtual të radhës të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, bashkë me përfaqësues të bizneseve që operojnë në këtë industri, u diskutua mbi implikimet që pandemia ka shkatuar për këto ndërmarrje.
Erëmal Bajrami, menaxher i përgjithshëm në KFC Kosova, njëherit edhe kryesues i komitetit të Gastronomisë dhe Turizmit të Odës Amerikane, si dhe moderator i këtij forumi, theksoi se gjatë këtij viti industria e HORECA-s është ndikuar rëndë nga izolimi i detyrueshëm i shkaktuar nga pandemia COVID-19, i cili ka luajtur një rol mjaft të madh në rënien drastike në ekonomi, pasojat e së cilës do të ndjehen për vite me radhë.
Shkumbin Muçolli, menaxher i përgjithshëm në Burger King Kosova, si dhe anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane potencoi se muajt e kaluar, respektivisht që nga shpërthimi i pandemisë në muajin mars, janë karakterizuar me rënie të qarkullimit të të hyrave në biznese dhe fatkeqësisht humbje të mëdha të vendeve të punës. Duke u ndërlidhur me masat e marra nga Qeveria, përfshirë këtu edhe Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike e cila akoma është në proces të miratimit, Muçolli tha se megjithëse kjo pako është vonuar, mbetet mjaft e rëndësishme për mbijetesën e bizneseve në vend. Ai gjithashtu potencoi rëndësinë që ka sektori i HORECAs, falë numrit të madh të punëtorëve që punëson, ndikimit në përmirësimin e imazhit të vendit, si dhe ndikimit të përgjithshëm si një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë, derisa tha se ndalimi veprimtarive të këtij sektori, do të thellojë tutje krizën që po përjetojmë, rrjedhimisht duke stagnuar zhvillimin ekonomik për vitet e ardhshme.
Gani Mehmeti, kryeshef ekzekutiv në kompaninë Nartel, foli mbi vështirësitë me të cilat hoteli i tij po përballet gjatë kësaj kohe. Ai shprehu pakënaqësinë e tij rreth qasjes së shtetit ndaj sektorit të hotelerisë, ku theksoi se gjatë kësaj periudhe shumë biznese janë të detyruar që të largojnë punëtorët nga puna në pamundësi për të ofruar paga për të njëjtit. Sipas tij, një çështje tjetër që duhet adresuar si nga Qeveria por edhe nga publiku në tërësi, është mungesa e përfshirjes së përfaqësuesve të sektorëve më me ndikim në ekonominë e Kosovës gjatë draftimit të ligjeve që i afektojnë këta sektorë, pasi që të njëjtit do të mund të ofronin një pasqyrë më reale mbi sfidat dhe vështirësitë nëpër të cilat po kalojnë, dhe rrjedhimisht qasja ndaj problemeve të tyre do të ishte më gjithpërfshirëse.
Bujan Stavileci, menaxher i shitjeve dhe marketingut në hotelin Four Points by Sheraton Prishtina City, theksoi se hoteleria si industri gërsheton brenda vetes edhe sektorë të tjerë siç janë gastronomia, argëtimi dhe organizimi i eventeve, prandaj implementimi i masave mbrojtëse kundër pandemisë COVID-19 ka krijuar një sfidë të madhe brenda hotelit Four Points, i cili edhe ashtu është hapur në këtë periudhë të krizës. Sipas tij, pandemia ka ndikuar dukshëm edhe në sigurinë e klientëve për shërbimet e luksit që ofrohen nga hoteleria. Stavileci theks të veçantë i dha disa boshllëqeve në masat e marra nga Qeveria ku tha se të njëjtat do duhej të personalizoheshin në bazë të specifikave të industrive, në mënyrë që implementimi i tyre të ishte më lehtë i zbatueshëm nga qytetarët që frekuentojnë hotelet në Kosovë, dhe bizneset në industrinë e HORECAs në përgjithësi.
Sipas panelit të ftuar në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Qeveria duhet të rris mbështetjen përmes injektimit të fondeve dhe rishikim të masave të vendosura për këtë sektor, ndërsa kuvendi duhet të trajtojë me seriozitet projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, meqë çdo vonesë do të thotë humbje për ekonominë e vendit.