Datë 22 Janar 2020, mbrëmë, nisi edicioni i 29-të i festivalit të dramës shqipe, Talia e flakës, në kuadër të manifestimit multidimensional artistik Flaka e Janarit, festival ky që është themeluar si rezistencë kulturore shqiptare dhe organizohet çdo vit në nderim për heronjtë e kauzës kombëtare shqiptare, si e drejtë e popullit tonë për të jetuar lirshëm.
Nga: Avni Shkodra
Nën moderimin e artistes, muzicientës Diana Toska, festivalin e hapi drejtori i teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, i cili në fjalën hyrëse, bëri thirrje që teatrot tona të inskenojnë më shumë tekste nga autorë shqiptarë.
Nata e parë, filloi me shfaqjen nga Teatri Kombëtar i Kosovës, “Bryma e Vdekjes”, të autorit Milazim Krasniqi, e në regji të Burbuqe Berishës.
Ish kampi i refugjatëve shqiptarë, ai i Bllacës, në pikën kufitare të Kosovës me Maqedoninë, ishte vendi ku autori u frymëzua t’a shkruante dramën, duke i thënë në atë kohë, një policit, i cili paska qëndruar në mënyrë cinike përballë turmës së dërrmuar shqiptare në kamp, që “Do t’ua përjetësoj turpin, për atë që po bënin”. E ajo që shteti Serb bëri, bashkë me këta që e ndihmuan dhe e toleruan, ishte gjenocidi, një turp, m’u në kontinentin ku e drejta e njeriut konsiderohej se ishte në nivelet më të larta. Pra ishte një turp edhe e një pjese të shteteve të civilizuara evropiane, që megjithë luftën në Bosnje, si paralajmërim, toleruan më të keqën edhe në Kosovë.
Ngjarjen e dramës autori e vendos pikërisht në këtë kamp, e cila për kryepersonazh ka Fitimin, një djalë rreth të njëzetave, i cili pas traumave nga torturat psikologjike në kamp, fillon të mos e kontrolloj vetën dhe të flet hapur. Proteston ndaj prindërve, se pse nuk e kishin lënë t’i bashkangjitej lufës, por që t’vinin këtu në kamp e të shtypeshin, pa pasur mundësi që të mbroheshin. Fitimin, personazhet e tjera në kamp e trajtojnë sikur të sëmur mendor, dhe dike që ua bënë jetën edhe më të vështirë në kamp, por që për audiencën, ky personazh, vjen sikur ndërgjegja e asaj turme të traumatizuar dhe ndërgjegja e një populli të tërë, në përpjekjen e tij për të dalur nga lëkura që e mundon.
Një spiune, e veshur si plakë, e vret Fitimit, mu në momentin kur Fitimit I kthehet shpresa, kur i duket se është vetëvetja, kur i duket se fitoj, pasi që i ati I tij me urtësi e bindë se ata do të fitojnë, dhe se ka njërëz që po lutojnë për shpresën e tyre.
Nëse kthehemi në vitin 2020, fatkeqësisht, shteti serb ende ka qasje shovinite ndaj nesh, duke mos na njohur. Pa një pendesë kolektive dhe ndërgjegjësim të popullit serb, në raport me luftën në kosovë, sikurse i atij Gjerman, për pranimin e fajit kolektiv për dëmin e shkaktuar në luftën e dytë botërore, vështirë se do të ketë fqinjësi të mirë. Në romanin “Ra ky mort e u pamë”, Ismail Kadare e demistifikon ndërlidhjen e mos praninimit të fajit dhe mos njohjes sonë nga shteti serb, meqë mosnjohja, në këtë rast, shfrytëzohet si mburojë për mos pranim fajësie. Pra si të pranoj faj, për dikë që nuk e njoh?!
Skenografia e shfajes, rrinte bukur. Me dy kabina rojesh ushtarake të ngritura lart mureve, me tenda në kamp, një urë, e gjitha më një ngjyrë kafe të pluhurosur, dukej estetike dhe krijonte atmosferë të ngrohtë, pavarësisht temës së ftoht.
Muzika ishte ajo që dallohej për të mirë në shfaqje, e sidomos vokali aktorit Afrim Muçaj, i përcjellur edhe nga kori i ansamblit të shfaqjes.
Kostumet ishin të sakta, të viteve 90-të dhe me një ansambël të madh aktorësh në skenë, dukej që regjisorja ka dashur ta shfaq një fotografi të madhe të popullit të vuajtur, e cila pamje, patjetër se të mbetet në kujtesë.
Aktrimi në rolin e Fitimit, dallohej dukshëm, si nga ana e mundësive që teksti i dha, poashtu edhe nga energjia e aktorit Valmir Krasniqi.
Qasja regjisoriale, ishte më shumë e llojit të regjisë e cila praktikohet në film, që nuk mendoj se është jo e duhur në shumë raste edhe në teatër, po nuk jam i sigurtë edhe për tek tekstet që janë më shumë narrative, e që ndoshta qëllimshëm nuk ndjekin një formë standarte të të shkruarit të dramës.
Shfaqja nuk zgjatë më shumë një orë, minutazh ky që tregon njëfar ndjesie në sensin pozitiv të menaxhimit të kohës, meqë në kohën e zhvillimit të hovshëm të teknolgjisë dhe informacioneve të shpejta që çdo ditë I absorbojmë, shumë lehtë një shfaqje teatrore mund të të jap mundim me tejzgjatjen e saj edhe nëse është “kryevepër”.
Shfaqja “Bryma e Vdekjes”, në fund, u la audiencës një përlotje në sy, na kthej në kujtesë duke e përjetuar “Bllacën” edhe ne të cilët nuk kemi qenë në kamp.