Në prag të zgjedhjeve partiake, peshën e përgjegjësisë e mbajnë anëtarët e saj, të cilët me votën e tyre nuk i lënë hapësirë ankesave të panumërta dhe kërkojnë llogari në përmbushjen e plan-programit partiak.
Shkruan: MIRISHAHE LIMANI HILER
Çdo formacion polik në Kosovë kërkon ndryshim të gjendjes aktuale dhe zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat përballet republika jonë.
Si të bëhen ndryshimet?
Nëse dikujt nga liderët e tanishëm i bie në mend të shikoj të kaluarën se ku dhe kur ka gabuar, kjo do të ishte një shenjë e mirë se këta politikanë kanë reflektuar dhe se mund të presim prej tyre një zgjidhje të re. Mirëpo, nëse ndodhë e kundërta dhe ata vazhdojnë me verbësi në të njëjtën rrugë, të gabuar si deri më tani, kjo do të ishte një dështim edhe më i madh për vendin. Pse ? Sepse tanimë pasojat e një keqqeverisjeje politike në vend i njohim dhe i përjetojmë në kurrizin tonë.
Kush duhet të sjellë ndryshime në LDK, si subjekti më i madh në Kosovë?
Poqë se Isa Mustafa dhe Fatmir Sejdiu pretendojnë të udhëheqin LDK-në sërish, i pari si vazhdimësi, ndërsa i dyti si ri-kthim në krye të këtij subjekti, ky është konfirmim i mosnjohjes së aftësive të tyre politikë bërëse e që do të rezultojë me dëshpërimin e anëtarëve të kësaj partie, të cilët, në të kaluarën, të dy këtyre personaliteteve u kanë dhënë mundësinë e veprimit. Thjesht e qartë : anëtarët e LDK-së nuk duhet të lejojnë përsëritjen e gabime dhe që të dyve duhet të ju tregohet vendi i pensionimit nga politika.
Ndryshimet nuk i sjellin kandidatët. Ndryshimet i sjellin votuesit me votën e tyre të lirë e të orientuar mirë.
Ndonëse në Llap Agim Veliu gëzon një simpati brendapërbrenda popullatës së këtij regjioni, nuk është e mjaftueshme që kandidatura e tij të konfirmohet në nivel qendror në LDK. Për ç’arsye ? LDK duke qenë ndër formacionet e para politike në vend, e kalitur nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, nuk ka asnjë mundësi që t`i lë fatet e vendit në duart e aktivistëve lokalë, pavarësisht se ata janë të mirë në atë nivel të pushtetit.
Po si mund ta shohin anëtarët e LDK-së kandidaturën e Lutfi Hazirit në shërbim të tyre ? Haziri njihet si tip komunikues dhe përplot ambicie politike, tipare këto të lakmueshme në politikë, por që nuk mjaftojnë për të udhëhequr një subjekt si LDK, që nesër pritet të drejtojë vendin, i cili tani ka arritur në një udhëkryq të rrezikshëm falë politikave të gabuara, deri këtu. A mundet Kosova të eksperimentojë edhe më tutje. Haziri nuk njihet si njeri i projekteve. Gjithsesi, anëtarët e LDK-së që tani duhet t’ia bëjnë të qartë atij refuzimin e një koalicionin me PDK-në, në një periudhë të afërt.
E poqë se Haziri e projekton këtë koalicion, patjetër që mund t’i kushtoj rishtas kësaj partie dhe popullit të Kosovës, ndërsa përgjegjësia për mos zgjidhjen e problemeve nuk bie vetëm mbi Hazirin, por më edhe mbi zgjedhësit e tij, madje më tepër tek ata.
Pse LDK-ja duhet t’i qaset më ndryshe problemeve të vendit?
Duke pasur parasysh kontekstin e ri historik të Republikës, duke qenë vetëkritik dhe konstruktiv në përpilimin e një klase politike të shëndoshë, LDK-ja nuk duhet të lidh fatin e saj me strukturat e tanishme, që fatkeqësisht janë të mbyllura për ata/ato që dallojnë në një vizion politik dhe që dinë të projektojnë të ardhmen. Pse e themi këtë ?
Ndër emrat e vetëm që arrin të dërgojë mesazhin e saj tek anëtarët e LDK-së, është Vjosa Osmani. Ajo në valixhen e njohurive të saj të përgjithshme përmban një pasuri intelektuale që i duhet vendit. Poqë se nuk ndodhë zgjedhja e saj në krye të LDK-së, atëherë anëtarët e kësaj partie duhet të mbajnë përgjegjësi të dyfishtë: për ngulfatjen e inteligjencës jo vetëm brendapërbrenda këtij formacioni politik, por edhe për kohëzgjatjen e problemeve të panumërta sociale, ekonomike e politike në Kosovën tonë.
Si të veprohet drejt?
Në këtë moment, peshën e përgjegjësisë e mbajnë në duart e tyre anëtarët e këtij subjekti, të cilët vendosin për votën e tyre.
Program të ri politik mund të ofrojnë vetëm ata/ato që përçojnë porosi të qarta, që janë të përgatitur dhe nuk iu ikin punëve të vogla as të mëdha.
Poqë se Vjosa Osmani gëzon një përkrahje të jashtëzakonshme tek anëtarët e LDK-së, strukturat e këtij formacioni duhet ta mbështesin e t’i duartrokasin gjeneratës së saj, e cila nuk është asgjë tjetër, pos një pasardhëse e denjë e të madhit Ibrahim Rugova, me të cilin ju e mbani ballin lart.
Nëse doni një Kosovë më ndryshe, ndryshoni pra qasjen ndaj problemeve të saj. E problemi më madhor i këtij shteti ishin deri më tani shumë politikëbërës të gabuar që i kemi zgjedhur me votën tonë të lirë.