Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e ri, jorezident të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Kosovës, Faisal Ghazi Ismail Hifzi, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale.
Presidentja Osmani e uroi ambasadorin për detyrën dhe e siguroi për mbështetje në përmbushjen me sukses të misionit të tij në Kosovë. Ajo shprehu falënderimin për mbështetjen e Mbretërisë së Arabisë Saudite në fushën diplomatike dhe zhvillimore të dhënë ndër vite për Republikën e Kosovës.
Presidentja Osmani shprehu besimin se në periudhën vijuese do të ketë intensifikim të raporteve ndërshtetërore që do t’i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite, sidomos në fushën ekonomike e tregtare. /2LONLINE.com/