Sot, PDK-së në Gjilan iu bashkuan rreth 100 anëtarë të rinj nga subjektet e tjera politike, kryesisht të AAK-së, 10 prej tyre, kryetarë të nëndegëve të AAK-së, po ashtu edhe aktivistë nga LDK-ja, ka thënë Shefik Surdulli, nga Zyra për Informim e PDK-së së Gjilanit.
Sipas tij, anëtarëve të rinj, mirëseardhje i dëshiroi kryetari i degës Zenun Pajaziti, i cili në fjalën e tij tha: “Do të jeni pjesë e pandashme me të gjithë ne në rikthimin e një qeverisje më të mirë për Gjilanin dhe qytetarët tanë. Jemi të nderuar me ardhjen tuaj kaq masive në mesin tonë, ku ju siguroj se nuk do të mungojë përkushtimi ynë, dhe nuk do t’ju zhgënjejmë”.
“Ndërkaq, veprimtari dhe aktivisti i dëshmuar Sokol Haziri, themelues i AAK-së në Gjilan, njëri nga ish drejtorët më të suksesshëm në qeverisjen e koalicionit aktual (LDK-AAK), në fjalën e tij drejtuar kolegëve të posa ardhur, shumica e të cilëve ishin bashkëveprimtarë të tij në AAK, tha se për shkak të qeverisjes së keqe dhe mostrajtimit të dinjitetshëm nga udhëheqja e AAK, keni zgjedhur rrugën më të mirë, subjektin më serioz dhe më të përgjegjshëm, i cili ka vizion të qartë për Gjilanin dhe vendin në përgjithësi”, përfundon komunikata e PDK-së së Gjilanit.