/Në këtë mënyrë, z. Haliti i ka dy rrugë, secila më e ngushtë se tjetra. Ai në rastin më të mirë mund të jetë qytetar i rëndomtë i qytetit tonë të dashur, por duke bartur mbi supe turpin e tij qeverisës, ndërkaq në rastin më të keq do të përfundoj para organeve të drejtësisë duke u ballafaquar me drejtësinë (të drejtën)”/
Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Viti, shpreh shqetësimin e saj të thellë përkitazi me keqpërdorimet dhe abuzimet që pushteti i korruptuar lokal ka bërë përgjatë pothuajse katër viteve qeverisje, apo thënë më mirë keq qeverisje. PDK përmes ekspertëve të fushave respektive në mënyrë të vazhdueshme ka evidentuar këto shkelje. Shkelje këto të përmasave të mëdha dhe të inkriminuara penalisht.
“Meqë shkeljet ligjore, abuzimet, aferat korruptive, nepotizmi, punësimi në baza partiake e diletantizmi në qeverisjen lokale janë të përmasave shqetësuese, atëherë po fillojmë nga e para. Për të vazhduar mëpastaj me denoncimet tjera, gjithnjë duke u bazuar në realitetin e hidhur objektiv”, thuhet në komunikatë ne PDK-së, Dega në Viti.
“Kryetari Sokol Haliti në mënyrë perfide është munduar që konsumimin e veprës penale “keqpërdorim i autoritetit zyrtar”, të paraparë me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ta fsheh përmes disa aktiviteteve modeste e paraqitjeve publike. Shprehur në terma praktik z. Haliti ka keqpërdor autoritetin zyrtar duke ndikuar direkt në asfaltimin e një rruge bujqësore prej Vitisë në Mogillë, rrugë në të cilën ai, respektivisht familja e tij, ka prona të paluajtshme. Këtë vepër penale ai e ka bërë me qëllim të rritjes së vlerës së tokave të tij gjë e cila është e sanksionuar, respektivisht e ndaluar, me dispozitat juridiko pozitive të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në bazë të nenit 424 të këtij Kodi, që ka të bëjë me konfliktin e interesit “Personi zyrtar i cili merr pjesë personalisht në ndonjë çështje zyrtare në të cilën ai apo ndonjë anëtarë i familjes ose një person juridik që ka të bëjë me të ka interes financiar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”. Ndërkaq paragrafi 3 i këtij neni thotë se “Për qëllime të këtij neni (pra nenit 424) shprehja ‘merr pjesë’ nënkupton ushtrimin e autoritetit zyrtar përmes vendimit, miratimit, mosmiratimit, rekomandimit, këshillimit, hetimit, ose në ndonjë mënyrë tjetër të ushtrimit të ndikimit për një çështje zyrtare” thuhet tutje në komunikatën e PDK-së.
M tej në këtë komunikatë thuhet:
“Tokat e Kryetarit gjinden ne rrugën “Flaka e Janarit”, respektivisht në rrugën që çon ne fshatin Mogillë. Numri i parcelave të tij është nga 2750- 0 dëri në 2765- O.
Edhe në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale kjo kategorizohet si konflikt interesi. Sipas nenit 59, paragrafi 2 “Kryetari i Komunës përjashtohet nga procedurat vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë çështje, në të cilën ai, apo ndonjë i afërm i familjes së tij, ka interes personal apo financiar”. Në këtë mënyrë, z. Haliti me këtë rast ka konsumuar veprën penale nga neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka shkelur dispozitat e Ligjit mbi Vetëqeverisje Lokale.
Pra, siç edhe argumentohet përmes skicës së parcelës z. Haliti duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka kryer veprime të cilat janë në kundërshtim me mandatin që e ka marrë nga qytetarët. Qytetarët e kanë votuar atë jo për të rrit pasurinë e tij dhe familjes së tij, por për të qeverisur në të mirë dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Në këtë mënyrë, z. Haliti i ka dy rrugë, secila më e ngushtë se tjetra. Ai në rastin më të mirë mund të jetë qytetar i rëndomtë i qytetit tonë të dashur, por duke bartur mbi supe turpin e tij qeverisës, ndërkaq në rastin më të keq do të përfundoj para organeve të drejtësisë duke u ballafaquar me drejtësinë (të drejtën)”, përfundon komunikatae PDK-së.