Në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, paralajmërohen reforma të thella, ngase kjo kërkohet edhe nga qendra e këtij subjekti politik, sidomos pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhje e fundit nacionale, ndërsa risia e parë që vije tani për publikun, është fakti se Zenun Pajaziti, kryetari aktual i Degës mund të mos jetë kandidati i këtij subjekti politik, në garën për kryetar të komunës së Gjilanit, në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor.
Pajaziti kishe marrë drejtimin e partisë në Gjilan, në nëntor të vitit 2015, me idenë që në një garë për të parin e Komunës së Gjilanit të jetë ai kandidati i PDK-së, madje tani në zgjedhjet e fundit, me 8 qershor, përgjatë një tubimi elektoral në Malishevë të Gjilanit, ai kishte konfirmuar, para të pranishmëve, kandidaturën e tij për kryetar komune, por tani në korrik duket se ka “lëshuar rrugë”.
Pajaziti, në zgjedhjet nacionale ka siguruar ulësen e deputetit dhe se angazhimet e tija të mëtutjeshme pritet të jenë në parlament apo qeveri (nëse bëhet nga PAN) si dhe angazhimet partiake në qendër, ndërkohë që “lëshimi i rrugës”, për garën e të parit të komunës, ka bërë që në këtë subjekt politikë të shpërfaqen apetitet e kuadrove brenda strukturës, por po ashtu edhe jashtë saj, për kadidaturë.
Në mesin e disa emrave që përfolën se kanë interesim t’i hyjnë kësaj gare, nëse arrijnë të marrin bekimin e partisë, kryekëput besimin e liderit të PDK-së Kadri Veselit, janë edhe ai i Sami Hoxhës, Bajram Isufit, Qemajl Mustafës (përflitet mundësia e kthimit të tij), Gani Nezirit, e ndonjë tjetri, (pa përjashtuar as ndonjë emër jashtë strukturave drjetuese, siç përmendet një emër, Arben Mustafa!)
Njëri nga këta emra, Gani Neziri, e ka pohuar për Portalin 2LONLINE, gatishmërinë e tij, por edhe nisjen e veprimeve konkrete për të marrë besimin që ai të jetë kandidati i PDK-së në garën e tetorit, për të parin e komunës.
“Ndonëse zyrtarisht nga selia qendrore e PDK-së në Prishtinë, nuk ka ende asnjë komunikim zyrtarë lidhur me përcaktimin e kandidatit që do të garojë si i PDK-së në zgjedhjet lokale të tetorit, për kryetar komune në Gjilan, megjithatë unë kam mësuar për mundësinë që kryetari aktual i degës së PDK në Gjilan, Zenun Pajaziti të ketë hequr dorë nga interesimin e tij për të qenë kandidat për Kryetar Komune, dhe unë kam paraqitur ambicien time për të qenë kandidati i PDK-së për një garë të tillë. Për më tepër, interesimin tim për të qenë kandidat për Kryetar Komune ia kam paraqitur pikërisht kryetarit aktual të degës, Zenun Pajaziti. Madje, do të kërkoj mbështetje edhe nga ai dhe bashkëpartiakët e tjerë dhe vlerësojë që mund ta marr bekimin edhe të qendrës, për t’i hyrë kësaj gare”, thotë Neziri për 2LONLINE.
Por, nuk është vetëm emri i tij që përmendet si mundësi e të qenit kandidati i PDK-së për zgjedhjet e tetorit, ku do të përcaktohet kush do t’i prijë Gjilanit. Janë edhe emrat si: Sami Hoxha, Bajram Isufi, Qemajl Mustafa. Arben Mustafa… e ndonjë tjetri, e për këtë, Neziri thotë të jetë në dijeni edhe për ambiciet e kolegëve të tij që apostrofohen.
“Nuk shoh gjë të keqe këtu. Përkundrazi, gara konkurruese brenda partisë shpjegon për një zhvillim më të avancuar të demokracisë politike në PDK, që fatkeqësisht, mungon në partitë tjera kosovare. Cilido nga ata që do të fitoi besimin për të qenë kandidat, do ta përshëndes dhe mbështes me gjithë fuqinë time politike që posedoj, por jo, nuk do të mbështes as edhe një kandidat, pavarësisht nga lloji i kalibrit që përpiqet të vije nga jashtë partisë”, thotë Neziri.
Ai thotë se ka respekt për secilin nga të apostrofuarit dhe i çmon vlerat e tyre intelektuale por gara do të jetë nga brenda partisë, jo dhe jashtë saj.
“Prandaj, me sa mbajë mend unë, Qemajli ka ikur nga PDK, që nga humbja shumëdiferenciale në zgjedhjet lokale të fundit. Megjithatë, nuk ngurroj të them se i lakmoj zotësisë së tij por, jo edhe formës udhëheqëse të tij. Si humbës i madh që ishte, nuk besoj se ai do të pranoj që të kthehet edhe njëherë për të dyfishuar humbjen. Do të jetë në dëmin e tij personal. Ndërsa, e di që në parti është përmend edhe një emër si ai i Arben Mustafës, nuk e njoh fare. Nuk më kujtohet se e kam parë ndonjëherë në zyrat e PDK-së, të degës në Gjilan dhe si i tillë, po kujtoj se nuk është nga radhët e PDK-së, prandaj, nuk e shoh si kandidat të mundshëm. Kujtoj se është veçse një përfolje nga njerëz jashtë PDK-së për të provokuar situatën brenda nesh”, thotë tutje Neziri.
“Edhe për të tjerët që përmenden kam respekt, por më pëlqen të kujtoj se do të jem më i preferuari nga Qendra dhe Kryetari i Partisë. Shpresoj se do të jem më i votuari brenda Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të Degës dhe më i pëlqyeri nga anëtarësia e gjerë e PDK-së, Dega në Gjilan”, thotë Neziri.
Ai shton se mbi të gjitha, do të jetë më i pranuari nga qytetarët e Komunës së Gjilanit që së paku vetëm një herë kanë shkelur pragun e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, sa ai ishte drejtor.
Ai thotë se mendon kështu duke u mbështetur në faktin se në dy mandatet sa ishte Drejtor, ka qenë në nivelin më të lartë të organizimit konform rrethanave dhe mundësive të lejueshme. Kjo mund të konfirmohet nga Agjencioni Kadastral i Kosovës, nga ana e qytetarëve që ishin si palë në Kadastër dhe veçanërisht nga ish bashkëpunëtorët.
“Po ashtu, çmoj pozitivisht guximin e gjithsecilit për t’u futur në garë në kohën kur autoriteti i partisë është cenuar rëndë në zgjedhjet e fundit nacionale, nga ku do të jetë i domosdoshëm një aktivitet i palodhshëm të cilin mund ta bëjnë veçse PDK-istët e vërtetë, po hiq kurrë nuk mund ta bëjë një argat i huaj që nuk përjeton me zemër, as humbjen e as fitoren e PDK-së. Nuk din, as të qaj e as të qeshë për PDK-në”, thotë në fund Gani Neziri.
Përndryshe, brenda këtyre ditëve në Gjilan pritet të vije edhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli, i cili do t’ia vë kapakun kësaj pune, duke e qartësuar punën e kandidatit, por edhe rrugën që kërkon për reformim të PDK-së së Gjilanit, për t’u këndellur mirë e mirë, e për të dalë nga pozita e rëndë ku ndodhte, e që tregues për këtë ishte edhe rezultati në zgjedhjet nacionale, për një subjekt si PDK, që qeveriste dikur me Gjilanin dhe që synon këtë ta bëjë sërish.