Partia Demokratikë e Kosovës (PDK), përmes një komunikate ka bërë me dije se pas situatës së krijuar papritur me qëndrimin e disa këshilltarëve të PDK-së, në Kuvendin e Komunës, Kryesia e Degës me datë 16.12.2019 mbajti takim të veçantë në të cilën e shqyrtoi përmbajtësisht qëndrimin e tyre dhe doli me këto konkluzione:
KONKLUZIONET
1. U konstatua se këshilltarët në fjalë, me veprimin dhe qëndrimin e tyre i bënë dëm publik Degës së PDK-së në Gjilan dhe Partisë në përgjithësi.
2. Kryesia e degës distancohet qartë nga veprimet e pakoordinuara dhe pa konsultim të këtyre këshilltarëve me grupin e këshilltarëve si tërësi dhe me kryesinë e degës.
3. Kryesia me unanimitet të plotë u distancua nga këto veprime të këtyre këshilltarëve dhe ky distancim do të vlejë deri në një vendim tjetër të saj në ditët që vinë rreth kësaj problematike.
4. Asnjë veprim apo paraqitje publike e ndonjë individi pa harmonizim me kryesinë e degës dhe në frymën e programit të saj nuk konsiderohet akt i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan.
5. Kryesia e degës diskutoi në frymën e tolerancës dhe unitetit të plotë në degë dhe në këtë ambient mori qëndrim që këtyre këshilltarëve tu jepet mundësia e komunikimit me degën (me Kryetarin e degës, kryesinë dhe me grupin e këshilltarëve) me qëllimin e vetëm që këta këshilltarë t’i kthehen shpejt dhe qartë agjendës politike dhe programit të punës të degës së PDK-së në Gjilan e që është plotësisht në funksion të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve të Komunës tonë.
Gjilan
Kryesia e Degës