Duke pasur edhe vetë një përvojë mbi 10 vjeçare me partitë politike kam kuptuar një të vërtetë të funksionimit të tyre dhe ajo ka të bëj më një fakt tepër domethënës, atë të pashmangësisë ku kurdo që ato të vijnë në pushtet do të dëshmojnë aq vlerë dhe dinjitet sa kishin brenda apo në parti.
Shkruan: Bejtush Isufi
Kjo mund të mos duket kurrfarë zbulimi, por gjithsesi se ka një vlerë të madhe praktike, nëse vërtetë duam ti marrim gjërat nga ana serioze e tyre.
Dhe nuk ka si të jetë ndryshe seppe as njerëzit e as vlerat nuk ndërrojnë sa hap e mbyll sytë. Një ditë pas zgjedhjeve secila parti do të bart në qeveri atë « bagazh » që e kishte deri në ditën e djeshme në parti, prandaj prej këtu duhet të kuptohet sa imediate është lufta për ndërtimin e këtyre institucioneve, vlerave dhe standardeve “shëndetit” dhe pastërtisë së tyre, nëse e kemi marrë sa do pak seriozisht çështjen e funksionimit të shtetit dhe mbrojtjen e interesave themelore kombëtare.
Por cilat janë partitë politike shqiptare sot flasin qartë dhe shumë saktë qeveritë që kanë themeluar ato dhe rezultatet e këtyre qeverive.
Gjithë kjo ikje e shqiptareve nga vendi i tyre, gjithë ky krim i pandëshkuar dhe gjithë ky zhgënjim është “rezultat” i pa kontestueshëm se ku është katandisur shoqëria shqiptare.
Të gjithë ata që militojnë në jetën partiake duhet të kuptojnë se e ndihmojnë ngritjen e shtetit dhe demokracisë duke e bërë luftën e transparencës, dialogut dhe përkushtimit ndaj vlerave, ose janë duke e bërë të kundërtën e kësaj, pra bëhen pengues, bllokues dhe pengesa të konsolidimit të shtetit dhe demokracisë.
Duke e parë mënyrën si financohen, si drejtohen dhe si hynë e dalin njerëzit në partitë tona politike vështirë është të parashikohet diçka e mirë dhe shpresëdhënëse në të ardhmen e afërt.
Besoj se është e logjikshme të presim në radhë të parë nga shoqëria civile që të mos instrumentalizohet, nga intelektualët që të besojnë në misionin e tyre kulturor dhe emancipues dhe nga mediumet që të çlirohen nga komercializimi dhe kapja e pushtetit, para se tokat shqiptare të zbrazen nga rinia dhe inteligjenca.
Nuk mund të mos shpresojmë në progresin e shoqërisë, në arsyen e hapur të njerëzve dhe botën e sotme të hapur që na e bënë të mundur të kuptojmë se si ecet përpara ose si rrënohet e ardhmja me mungesë aktivizmi, vizioni e përgjegjësie qytetare.
Para se të shohim të këqijat te tjetri, së pari të pastrojmë secili “oborrin tonë” dhe para se të ikim nga vendi ynë të bëjmë betejën tonë personale për të ndryshuar dhe ecur përpara.