Partia e Drejtësisë i ka disa kërkesa për Qeverinë e Kosovës.
DEKLARATË POLITIKE E PARTISË SË DREJTËSISË
Republika e Kosovës e dalë më shumë se dy dekada më parë nga fitorja e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake të shteteve të NATO-s, është duke u ballafaquar me sfida serioze të kohës për të cilat mbi të gjithat është i domosdoshëm uniteti politik krahas urtësisë dhe vendosmërisë në vlerësime e veprime, për çka Kosova historikisht ka dëshmuar se ka potencial.
Sulmi i fundit terrorist në veriun e vendit ku jetën e tij, në altarin e pavarësisë e sovranitetit të shtetit e dha heroi Afrim Bunjaku, dëshmoi gjithë egërsinë e politikës hegjemoniste të qeverisë serbe që nuk ka të bëjë asgjë me interesat reale jetike të qytetarëve serb të Kosovës.
Partia e Drejtësisë mbështet fuqishëm qeverinë në përpjekjet për shtrirjen e sovranitetit të plotë shtetëror në çdo cep të veriut të vendit dhe njëkohësisht kërkon prej saj që të ndërmerr masa e veprime urgjente që do të sigurojnë qytetarët Serb se këto operacione shtetërore nuk janë të drejtuara kundër tyre. Në këtë drejtim është e domosdoshme që të intensifikohet dialogu me qytetarët Serb të cilët qartë janë të manipuluar dhe nën presion të jashtëzakonshëm politik e fizik nga regjimi autokrat në Serbi, si dhe që atyre, në pajtim me dokumentin e Ahtisaarit, tu ofrohen garanci plotësuese demokratike për jetë të qetë, dinjitoze e prosperuese në Kosovë.
Partia e Drejtësisë vlerëson marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit si arritje të rëndësishme në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë si shtete fqinje, të pavarura e sovrane; njëkohësisht, kërkon nga qeveria që pa vonesë të fillojë zbatimin e kërkesave unanime publike të BE-së dhe SHBA-së përkitazi me zbatimin e kësaj marrëveshje, përfshirë dërgimin e draftit të statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, të përpiluar nga ekspertët juridik të be, për vlerësim në gjykatën kushtetuese të vendit.
Partia e Drejtësisë kërkon nga qeveria që, sa më shpejtë, në bashkëpunim me SHBA dhe BE, të miraton planin sekuencial të realizimit të marrëveshjes së Brukselit ku hapa të parë simultan të dy shteteve do të ishin:
1. Dërgimi për vlerësim në gjykatë kushtetuese të draft – statutit të sipërpërmendur, nga ana e qeverisë së Kosovës;
2. Njohja reciproke e misioneve të përhershme diplomatike të dy shteteve me të gjitha atributet e tyre që dalin nga karta e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe konventave relevante ndërkombëtare, nga ana e qeverisë Serbe dhe qeverisë së Kosovës; si dhe,
3. Zotimi publik i Serbisë se nuk do të pengojë në asnjë mënyrë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet e organizatat relevante ndërkombëtare përfshirë OKB, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e sajë të Ohrit.
Partia e Drejtësisë vlerëson se në arritjen e këtij plani sekuencial partnerët tanë strategjik do të mbështesin Republikën e Kosovës në mënyrë konsekuente dhe unanime, dhe pret veprime të vendosura të Komisionit Europian në drejtim të njohjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që këtë ende nuk e kanë bërë.
Partia e Drejtësisë vlerëson se duke e pasur parasysh momentin historik të zhvillimeve në vend, rajon e më gjerë, prapa një plani të tillë sekuencial duhet të qëndrojë i gjithë spektri politik i vendit, në pozitë dhe opozitë, duke lënë betejën elektorale për fushat e tjera të jetës shoqërore, ekonomike e politike.
Kriza politike dhe e sigurisë në veriun e vendit kërcënon që të na humbas kohë të çmuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe proceset strategjike të integrimit të tij në BE dhe në NATO. Zhvillimet e fundit rreth anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës vërtetuan se Republikës së Kosovës i duhet politikë shumë më e matur dhe vizionare se sa që aktualisht e kemi. Prandaj, kërkohet veprim i shpejtë dhe energjik politik me mbështetje të gjerë qytetare për gjenerimin e potencialeve të reja të bashkërenduara politike që mund të sigurohet vetëm me organizimin e shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.