Rreth dy orë pasi që është hapur linku për të blerë bileta për ndeshjen Kosovë – Angli, ka pasur probleme të mëdha në webfaqen, ku askush nuk ka mundur të siguroj një vend në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Por, në këtë rast është mobilizuar edhe Policia e Kosovës, e cila po monitoron procesin e shitjes së biletave.
Problemet me sistemin online të shitjes së biletave ka bërë që shumë njerëz të irritohen dhe të reagojnë.
Një gjë të tillë e ka bërë edhe zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu.
Ai është ankuar pasi që nuk ka arritur të blej biletë duke e quajtur dështim dhe dallavere.
“E qysh me marr bileta online kur bie prej sistemi sajti i shitjes së biletave për ndeshjen Kosovë – Angli??? Tmerr bre kjo është, të dështuar me qëllim, dallavere fund e krye!”, ka shkruar Lutfiu në rrjetet sociale.
Ky i fundit, kohë më parë kishte njoftuar se Prokuroria i ka nisur hetimet për këtë skandal, i cili po e përshkon Kosovën që prej daljes online të biletave.
“Ju njoftojmë se Prokuroria e Shtetit, bazuar në lajmet e publikuara në media ka filluar grumbullimin e informatave, në mënyrë që të verifikohen dyshimet e ngritura për shitjen e biletave për ndeshjet e zhvilluara nga kombëtarja e Kosovës”, kishte thënë Lutfiu.