Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti ka deklaruar se kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi, nuk po bën fushatë duke ngritur pagat në këtë kohë, derisa nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit PDK – NISMA, në rast se diçka e tillë do të ishte në interes të vendit.
Pajaziti, në një intervistë për “Epoka e Re”, ka theksuar se rritja e pagave është agjendë shtetërore. Ai thotë se reagimi i opozitës për këtë rast ka qenë “absurd”.
“Jo, aspak nuk jemi duke bërë fushatë, sepse mandati i kësaj Qeverie dhe i këtij koalicioni është në fund të këtij viti. Po të ishte fushatë këto veprime do të ndodhnin në prag të zgjedhjeve, e jo tani. Kjo është një agjendë shtetërore e Kosovës. Reagimi i opozitës për rritjen e pagave është krejtësisht absurd. Në fakt, në Kosovë ka edhe njerëz të atillë që nuk e pranojnë një veprim që është në të mirë dhe në interes të qytetarëve të vendit”, ka theksuar Pajaziti.
Duke folur për zhvillimet e fundit brenda partisë së tij, deputeti Zenun Pajaziti pranon se do të ishte më mirë sikur Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj të mos largoheshin nga PDK, por nuk e përjashton mundësinë që PDK të bëj koalicion me NISMA-n, nëse siç thotë ai, është interesi i vendit të pyetje.
“Gjithsesi se di të ishte më mirë që të ishim të gjithë së bashku, edhe z.Krasniqi edhe z.Limaj, por më shumë sesa për njerëz dhe kontributin e tyre të çmuar të atyre që janë brenda PDK’së dhe atyre që tashmë nuk janë, PDK-ja mbetet sinonim i projekteve të mëdha të ndërtimit të vendit prej shpalljes së pavarësisë e këndej. Nuk po paragjykoj, por PDK-ja kur janë në pyteje interesat e vendit, mbetet e hapur për të gjithë spektrin politik”, ka shtuar Pajaziti.
Deputeti Pajaziti thotë se të gjitha opsionet për koalicion qeverisës mbeten të hapura. Ai thotë se opozita gjatë këtij mandati ka qenë aktive, por shpesh vetëm “sa për të thënë se është opozitë”.
“Mendoj se të gjitha opsionet duhet të jenë të hapura për interes të vendit. Spektri politik do t’i definojë koalicionet. Mirëpo PDK’ja është më afër me ata që i kanë konceptet e përafërta. Opozita ka qenë aktive, por në shumë raste reagimet kanë qenë vetëm sa për të thënën se është opizitë, sepse nuk kemi pasur alternativa të cilat do të kishte mund t’i konsumojë Qeverias si diçka e mirë që vjen nga opozita”, ka nënvizuar Pajaziti.