Oda e Afarizmit të Kosovës ka ripërsëritur kërkesën e dërguar tek Kryeministri, që nga propozimi i Ministrisë së Financave për pakon e parë që për të gjithë të punësuarit në Republikën e Kosovës të cilët janë afektuar nga gjendja e pandemisë të trajtohen në mënyrë të barabartë për arsye se shumë biznese nuk po mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre për shkak të masave të fundit, e të tjerat janë duke operuar me kapacitete të limituara.
Duke e marrë parasysh këtë OAK ka ripërsëritur kërkesën tek Kryeminsitri që pagat në institucione publike dhe kompani publike të ekzekutohen në vlerën e 50% të pagës për muajin prill dhe muajt vijues deri sa të zgjatë pandemia, për të gjithë apo për punëtorë që nuk janë duke punuar duke marrë parasysh se shumica e të punësuarve në institucionet publike nuk janë duke punuar.
Kjo bëhet me arsyetimin se në këtë mënyrë qeveria do të ketë mundësinë e rritjes së shumës prej 41 milionë eurove të parapara për afër 300.000 të punësuar në sektorin privat dhe rritjen e shumës nga 170 euro në së paku 220 euro, thuhet në letrën e OAK-së.
Gjithashtu OAK ka k9rkuar që shumën e paraparë prej 15 milion euro për paga shtesë prej 300 euro për punëtorët e atakuar nga pandemia, të alokohët për biznese dhe këta sektorë të marrin paga të plota.
OAK konsideron se përkrahja e bizneseve me mbulim të pagave për të mos i larguar nga puna, përkrahje në mbulim të shpenzimeve operative gjatë kësaj kohe dhe përkrahje në dhënie të kredisë pa kamatë dhe mbështetje të tjera është mëse e nevojshme për mbajtje dhe rritjen e punësimit në Kosovë, që është shumë e nevojshme në këtë kohë ku papunësia është më e madhja në Evropë.
OAK gjithashtu ka kërkuar që grupi koordinues i krijuar në Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik të fillojë punën sa ma shpejt në përgaditjen e pakos së dytë.