Organizata Jo-qeveritare Dardanapress, në kuadër te projektit “Ngritja e transparencës Komunale dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje”, ka mbajtur tryezën e dytë lidhur me transparencën në Administratën Publike si dhe shqyrtimi i kërkesave të qytetarëve nga ana e ekzekutivit.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë: Kryetari Komunës Kadri Rahimaj, zëvendës kryetarja për komunitete Aleksandra Jovanovic, Drejtorët e Drejtorive Komunale, qytetarët, anëtarët e Handikosit, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si dhe mediet lokale.
Qëllimi i organizimit të tryezës ishte diskutimi i sfidave dhe mundësive për rritjen e transparencës në Administratën Publike si dhe shqyrtimi i kërkesave të qytetareve drejtuar zyrës se Kryetarit të Komunës dhe Drejtorive Komunale.
Kryetari i Komunës Kadri Rahimaj, ka thëne se vendimmarrja për ne dhe institucionet komunale është një sfidë e madhe pasi që sipas tij deri me tani politika ka zhgënjyer qytetarin dhe si qeverisje po mundohen që të jenë sa më pranë qytetarit përmes dëgjimeve publike dhe buxhetore ku kërkesat e dala nga këto takime janë inkorporuar mbi 80% në buxhetin komunal për vitin 2023.
“Publikimi i raportit të punës së kryetarit me 173 faqe dhe publikimi i raporteve të Drejtorive Komunale tregojnë se nga vendi i 22-të të ranguar viteve të kaluara për transparencë, tani Komuna e Kamenicës është renditur e treta në nivel vendi, dhe ky është një element që tregon që kemi rritje të transparencës. Rritja e transparencës kthen besimin e qytetarëve në institucionet komunale dhe ne do jemi gjithëherë në shërbim të qytetarëve ”. ka thënë kryetari Rahimaj.
Pjesëmarrësit gjatë diskutimeve kanë shprehur mendimet e tyre lidhur me rritjen e transparencës në administratën komunale përmes publikimeve të raporteve, vendimeve, debateve publike, dëgjimeve publike, si dhe realizimi i kërkesave të qytetareve dhe Këshillave Lokale.
Nga kjo tryezë janë nxjerrë edhe disa konkluzione dhe rekomandime.
Si rekomandim kryesor i dalë nga tryeza është trajtimi dhe shqyrtimi i kërkesave të qytetarëve drejtuar ekzekutivit, përfundimi i projekteve të filluara para shumë vitesh, komunikimi me qytetar në zonat rurale, realizmi i kërkesave të qytetareve të dala nga dëgjimet publike, organizimi i fushatave vetëdijësuese nga ana e qeverisjes komunale se bashku me shoqërinë civile për arritjen e një rritje të dukshme të transparencës dhe të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.
Ky projekt është financuar nga programi i KCSF-së për mbështetje të shoqërisë civile “EJA Kosovë “,bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh te Luksemburgut. /2LONLINE/